E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: "Nuk e imagjinoj PSG-në në ligë të dytë"

Nga Ledjo Seferkolli
Protagonisti kryesor i ndeshjes së nesërme mes Marsejës dhe PSG-së, Lorik Cana, ka folur për gjendjen e vështirë të ish-klubit të tij. Shqiptari, i cili po përjeton një formë shumë të mirë me Marsejën ka thënë: "Nuk kam patur shumë kontakte me PSG-në pas largimit. Shokët e mi Badian dhe Benhamu janë larguar nga PSG-ja, dhe i vetmi me të cilin komunikoj ndonjëherë është Bernar Mendi. Megjithatë gjithnjë e kam ndjekur ecurinë e klubit parizien, dhe e di që nuk është në një situatë të vështirë. Më vjen shumë keq për këtë, pasi është klubi ku unë jam formuar si futbollist". Lorik Cana ka qenë autori i golit të vetëm në ndeshjen e vjetshme që u fitua 1 : 0 nga Olimpiku i Marsejës. Ai thotë: "Jo vetëm unë, po të gjithë këtu në Marsejë nuk kanë dëshirë ta shohin Parisin në kategori të dytë. Vendi i PSG-së është në Ligën e Parë, madje duke luftuar për kampionatin. Kur unë u largova nga PSG-ja situata kishte filluar të përkeqësohej, dhe këtu në Marsejë gjta ambientin e duhur. U pranova në mënyrë të mrekullueshme nga tifozat, dhe më duket se këtu jam pjekur e kam arritur një nivel më të mirë". Cana, i cili ka luajtur 69 ndeshje me bluzën e PSG-së, duke shënuar dy gola tashmë që është lojtar i Marsejës ruan respektin për ish-skuadrën e tij. Për ndeshjen e nesërme ai thotë: "Do të jetë shumë e vështirë. Kohët e fundit PSG-ja është përmirësuar shumë. I shoh që luajën më mirë". Ndërkohë vetë Marseja duket se po kalon një periudhë shumë të mirë. Ndaj PSG-së ekipi do të jetë i plotë, dhe morali është tepër i lartë pas fitores hakmarrëse ndaj Lionit në mesjavë, ku Lorik Cana u shpall lojtari më i mirë në fushë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›