E Shtunë, 31 Tetor 2026

Memelli, 40 minuta në fitoren 2-1 në miqësoren e Branit

Albania-Sport - Sulmuesi shqiptar i skuadrës norvegjeze të Bran Bergenit, Migen Memelli, ka luajtur dje pasdite, në ndeshjen miqësore të klubit të tij kundër skuadrës së kategorisë së dytë, Lov Ham, përpara se të bëhet gati të niset në fundjavë për në Shqipëri, për t'iu bashkuar grupit të lojtarëve të thirrur nga trajneri i Kombëtares kuqezi, Oto Baric, për miqësoren e 7 shkurtit me Maqedoninë. Shtatlarti shqiptar, ka luajtur për afro 40 minuta në miqoren midis Bran Bergenit dhe Lov Hamit, që u luajt në ora 18:00 (me orën lokale), në një kompleks fushash të mbyllura dhe që u fitua nga skuadra vendase me rezultatin 2-1.
Sulmuesi ka vuajtur një kontraktim muskular, por puna intensive e masazhatorit dhe fizioterapistit të skuadrës së Bergenit bënë që ai të aktivizohet për 40 minuta në ndeshjen e djeshme, dhe ai shprehet se tanimë është gati për kuqezinjtë në ndeshjen kundër Maqedonisë, që do të zhvillohet të mërkurën e ardhshme në Stadiumin "Loro Borici" të Shkodrës. "Në fakt, u tremba disi, pasi skuadra kundërshtare, që luan në kategorinë e dytë, filloi të luante shumë ashpër, sidomos ndaj neve sulmuesve, - ka pohuar Memelli, duke folur për Albania-Sport.com. – Sinqerisht, mendjen e kisha vetëm te Kombëtarja dhe nuk doja ta humbisja këtë shans për një miqësore të pavlerë si ajo e djeshmja."

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›