Cana: Sandërlendi do të qëndrojë në elitë
Lorik Cana beson se Sandërlendi ka një skuadër cilësore, e cila është në gjendje që të mbijetojë në Premiership. “Macet e zeza” nuk fitojnë prej tre muajsh, më saktësisht prej 12 ndeshjesh radhazi në kampionat. Ambicia për të garuar për një vend në kupat e Europës duket se është venitur dhe me kalimin e javëve, ekipi i Stiv Brus po bie drejt “zonës së ftohtë” në klasifikim. Edhe pse ecurisë së dobët duhet t’i jepet fund, kapiteni Lorik Cana mendon se ende nuk ka ardhur momenti për t’u alarmuar. “Kur ke disa muaj që nuk fiton, e ke të qartë se je në zonën e luftës për mbijetesë”, tha mesfushori kuqezi. “Diferencat në klasifikim nuk janë shumë të mëdha dhe gjatë kësaj kohe kundërshtarët kanë grumbulluar mjaft pikë. Gjithsesi, Sandërlendi nuk po mendon shumë për rënien nga kategoria, jemi më tepër të përqendruar që të kthehemi te fitorja dhe ta mbyllim sa më mirë sezonin. Besoj se skuadra ka shumë kualitet për t’u renditur më lartë, por gjatë këtyre 2-3 muajve të fundit kemi pasur shumë probleme me dëmtimet dhe nuk kemi mundur të paraqitemi në nivelin tonë më të mirë. Mendoj se duhet të ruajmë moralin e grupit dhe të marrim sa më shumë pikë që të jetë e mundur”.
#