Klose: E kuptova që goli ishte off-side
Miroslav Klose, autori i golit të fitores 2-1 të Bajernit të Mynihut në “Alianz Arena” përballë Fiorentinës, pohoi se rrjeta e realizuar në sekondat e fundit të sfidës erdhi pas një pozicioni jashtë loje. “Gjatë ndeshjes, instinkti më thoshte se ndodhesha në pozicion të parregullt në momentin kur shënova, por këtë e konfirmova kur pashë pamjet televizive”, deklaroi sulmuesi i Kombëtares gjermane. Italianët e drejtuar nga tekniku çezare Prandeli luftuan për të mos dalë të mposhtur në duelin e parë të 1/8-ve, por ata u zhgënjyen prej golit të diskutueshëm të bavarezëve në minutën e 89. Megjithatë, rrjeta e Kloses vetëm pak sekonda përpara fundit të ndeshjes, nuk ishte episodi i vetëm i dyshimtë: 15 minuta më parë, Masimo Gobi u largua nga fusha me karton të kuq, pasi goditi me bërryl në fytyrë mesfushorin holandez, Arjen Roben. Gjithsesi, ka pasur shumë debate rreth faktit nëse goditja ishte e qëllimshme, apo Roben vrapo drejt bërrylit të lojtarit të Fiorentinës. Për të qenë realistë, edhe Bajerni ishte viktimë e gjykimit të dobët nga “bilbili” famëkeq Overbo, në çastet e fundit të pjesës së parë të lojës. Arbitri i anuloi një gol të rregullt sulmuesit Mario Gomez: në vend të lejonte avantazhin, ai akordoi 11-metërsh, për një faull ndaj Frenk Riberisë. Penalltia u shndërrua në gol nga Roben, i cili i dha avantazhin e përkohshëm skuadrës së tij. Pasi realizoi golin nga pozicion “off-side”, Klose shtoi: “Natyrisht që jemi të lumtur sepse arritëm të fitonim”.
Në anën tjetër, trajneri holandez, Luis van Gal, është shprehur i mahnitur nga zgjuarsia taktike e Fiorentinës. Bajerni e nisi ndeshjen si favorite absolute dhe të gjithë besonin se gjermanët do të regjistronin një fitore të lehtë. “Fituam dhe kjo ishte gjëja më e rëndësishme për ne. Fiorentina ishte një skuadër shumë e zgjuar në aspektin taktik, ata ndryshuan sistemin e tyre të lojës dhe e patëm shumë të vështirë që të gjenim hapësira për të shënuar. Më vjen vërtet keq për këtë fakt”, deklaroi Van Gal në përfundim të ndeshjes. “Gjatë pjesës së parë të lojës kaluam shumë kohë duke vrapuar me topin dhe harruam të shfrytëzonim të gjithë gjerësinë e fushës. Kundërshtarët tanë nuk krijuan asnjë rast të pastër, megjithatë arritën të shënonin. Jemi të mërzitur, sepse për herë të parë, pas shumë kohësh, pësuam gol nga goditje këndi. Fituam me një gol në fundin e ndeshjes, që erdhi pas një pozicioni të dukshëm jashtë loje të Kloses: mund të them se ishim me fat. Kemi avantazhin e një goli, megjithatë e kemi të qartë se ndeshja e kthimit në Firence do të jetë e vështirë. Shanset për kualifikim janë 50 me 50, ose ndoshta ne jemi pak më të avantazhuar”.
Rreth duelit me “vjollcët” ka folur edhe mesfushori Bastian Shvajnshtajger. Ai nuk u shpreh aspak i kënaqur me paraqitjen në fitoren 2-1: “Nuk u paraqitëm në nivelin e kërkuar dhe në ndeshjen e kthimit duhet të luajmë më mirë se kaq. Fiorentina ishte mjaft e disiplinuar taktikisht, por ne nuk krijuam shanse të mjaftueshme. Duhej të kishim fituar 3-1”.
#