E Shtunë, 31 Tetor 2026

Duka, Halili e Vata, në garë për president

FSHF

Armand Duka, presidenti aktual i FSHF-së, Refik Halili, presidenti i Tiranës dhe Rudi Vata, menaxher futbollistësh, janë tashmë zyrtarisht kandidatët për postin e presidentit të Federatës Shqiptare të Futbollit për zgjedhjet e ardhshme që do të mbahen në Asamblenë e 9 marsit dhe nga ku pritet të dalin edhe organet drejtuese, të institucionit më të lartë të futbollit në vendin tonë. Dje ishte edhe afati i fundit për dorëzimin e dokumentacionit për kandidatët. Tre emrat e mësipërm u konfirmuan nga burime të sigurta brenda Federatës. Po ashtu është mësuar se tashmë janë zyrtarizuar edhe 20 kandidatura, që do të garojnë për 8 vende si anëtaret e Komitetit Ekzekutiv. Presidenti aktual Duka, ka qenë i pari që ka dorëzuar kandidaturën dhe mësohet se emri tij është propozuar nga rreth 30 klube. Refik Halili për momentin është propozuar vetëm nga klubi që ai tregon, Tirana. Ndërsa emri i Rudi Vatës mësohet të jetë propozuar nga disa klube të kampionatit shqiptar të futbollit. Sikurse është bërë e njohur dje në FSHF, javën e ardhshme do të mblidhet Komisioni i Mandateve për të verifikuar kandidaturat e shpallura për president dhe për anëtarë të KE-së.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›