Cana: “Shpresoj të shënoj më tepër gola”

Mesfushori shqiptar, Lorik Cana, është shprehur i kënaqur që skuadra e tij, Olimpiku i Marsejës, e mori shpejt veten, pas një humbje të përkohshme të formës, duke korrur fitoren e saj të gjashtë në këtë sezon të ri të kampionatit francez dhe duke e ruajtur hapin me kryesuesen dhe kampionen në fuqi, Lionin. Klubi mesdhetar mundi të dielën Tuluzën me rezultatin 3-0, një rezultat ky, që, në njëfarë mënyrë, bëri që të harrohet ajo humbje javën e fundit në kampionat, përballë Nantës, dhe ajo përballë Mllada Boleslavit, që bëri që marsejezët të eliminohen nga Kupa UEFA. Olimpiku mbetet 3 pikë në renditje pas Lionit, që fitoi sërish në fundjavë, për të gjashtën ndeshje radhazi në kampionat, por është gjithashtu edhe 4 pikë përpara ndjekëses më të afërt, Nonsit, që mban vendin e tretë. Cana, i cili shënoi golin e tretë në fitoren e skuadrës së tij në fundjavë, mendon se skuadra e tij i meritoi 3 pikët e mundshme dhe theksoi se ishte e rëndësishme që skuadra marsejeze të ruante vazhdën e fitoreve në fushën e saj, në stadiumin "Stade Velodrome". "Ne e merituam atë, - tha mesfushori shqiptar, goli i të cilit në minutën e 46-të iu shtua atyre të Taje Taivosë dhe Habib Bamogos, në fundin e pjesës së parë. Ja se cfarë ka deklaruar ai, në një intervistë dhënë faqes zyrtare të klubit marsejez në Internet. - Olimpiku i Marsejës ka fituar dhe ju keni shënuar një gol ... - Ishta merita jonë që, gjatë gjithë ndeshjes, ishim të duruar, përballë një ekipi mëse të organizuar. Për këtë aryse, ne shënuam edhe golat në momentet e përshtatshme, pikërisht para pushimit dhe direkt pas tij. Ky është goli im i parë në këtë sezon dhe, zakonisht, mjaftohem vetëm me një gjatë gjithë vitit. Dhe kjo më bën shumë të lumtur. Shpresoj që të vazhdoj me këtë ritëm. - Tuluza rezistoi, por duket se ju ishit të pranishëm pikërisht në momentet më venditare... - Qëllimi ynë, që në fillim të ndeshjes, ishte që të mos humbisnim asnjë mundësi. Përvec një goditjeje këndi, në pjesën e dytë, që u mjaftua me një prekje të shtyllës, lojtarët e Tuluzës nuk u shfaqën shumë të rrezikshëm. Ishte pikërisht ajo që ne nuk bëmë në ndeshjen me Nantën si dhe në ndeshjen me Mllada Boleslavin, në Kupën UEFA. Përballë Nantës, ne i dhamë shumë mundësi kundërshtarit. Këtë herë, armët tona ishin shumë më efikase, luajtëm më mirë dhe, për pasojë, kjo gjë funksionoi dhe fituam falë meritave të aftësive tona. - Olimpiku i Marsejës është i papërballueshëm në Vélodrome… - Mendoj se tashmë kjo duhet të bëhet një zakon, domethënë, ai i fitimit të ndeshjeve në shtëpinë tonë. Jashtë fushës sonë, ne duhet të mundohemi të grumbullojmë maksimumin e pikëve. Por tek ne, në fushën tonë, është një mbështetje e madhe dhe duhet të jemi fitimtarë në cdo ndeshje. Tifozët ndosheshin prapa nesh dhe besoj se ata e kanë kuptuar se ne nuk i kemi humbur me qëllim dy ndeshjet e fundit. Së bashku, ne nuk mund të formojmë vecse një skuadër, dhe kjo do të thotë vecanërisht që duhet të ecim vetëm përpara. Ekipi është dhe imazhi i tyre. - Mbërritja e Modeste M'Bamisë, a nuk ju jep më shumë hapësira në lojë? - Në mënyrën e të luajturit, nuk kemi ndryshuar dhe shumë. Por ai është një lojtar me një temperament paksa mbrojtës. Në një farë mënyre ndihem më shumë i sigurtë ta kem përkrah. Kjo më jep mundësinë që, njëher ose dy gjatë lojës të dal përpara, gjë kjo që nuk mund ta bëja më parë. Përgatiti: Altin B. Kodra