Cana: “Skuadra vuan nga egoizmi”

Marseja vazhdon të jetë ekipi i dy fytyrave shumë kontrastuese mes asaj që shfaqet në kampionatin francez dhe Ligës së Kampioneve. Gjithsesi, puna e trajnerit të ri, Erik Gerets, është dukë dhënë frytet e para. Me mbërritjen e tij te skuadra e Lorik Canës, belgu vendosi një disiplinë të rreptë dhe rregulla të reja. Ndryshime të cilat i kishte nevojë grupi marsejez. "Kishim shumë nevojë të rikuadroheshim", - siguron Lorik Cana për faqen e franceze të internetit sport365.fr, duke cmuar seancat e gjata stërvitore, në të cilat Gerets kërkon të ngulisë te lojtarët idetë e tij, por dhe vazhdimësinë e mentalitetit luftarak në lojë. Të shtunën kundër Soshosë, Marseja zhvilloi ndeshjen e pestë brenda dy javësh. Maratona vazhdon në Ligën e Kampioneve. "Duhet të shmnagim këtë lodhje duke parë dhe ndeshjet që na presin", - thotë kapiteni i Marsejës. Olimpiku i Marsejës nuk do të zbresë në Ligën 2. Cilësia e lojtarëve dhe loja që ata janë të aftë të propozojnë të jep bindjen se shumë shpejt "kurba" e grupit të Gerets do të jetë në njitje. Gjatë një takimi me një pjesë të ultrasve para disa javësh, Lorik Cana pranoi me gjysmë-fjale se ambienti në gjirin e efektivit të lojtarëve është larg të qenit i jashtëzakonshëm. "Jo të gjithë mendojnë njëlloj", - pranoi ai. Egot e lojtarëve të Marsejës janë të forta dhe kokëfortësitë e tyre prodhojnë jo pak shkëndija. "Vetëm fitoret mund t'i shuajnë ato", - pranon Cana.