E Shtunë, 31 Tetor 2026

Skela, “qymyrxhi” në Champions?

Ndihmëstrajneri i Tus Koblenc, Mario Basler, është një nga miqtë më të mirë të Skelës në Gjermani dhe një vlerësues gjithmonë pozitiv i fantazistit të Energi Kotbus.
NË SUPERFORMË - "Ndeshja kundër Shalke 04 dëshmoi se Skela është një lojtar i rëndësishëm për Energi Kotbusin. Ky sezon është i rëndësishëm edhe për karrierën e tij. Ai meriton më shumë se sa një ekip që lufton për ekzistencë". Seria negative e lauzicërve duket se po përfundon. Megjithatë, fitorja me Shalken nuk duhet të festuar me të madhe. "Ne kemi vetëm tetë pikë pas 12 ndeshjesh, cfarë ka këtu për të festuar? Ne kemi nevojë për një seri pozitive të gjatë", - citohet Skela nga mediat e ndryshme gjermane.
OFERTA -Ndërkohë që tabloja në shtëpinë e Energi Kotbusit është e zymtë, dy ekipe të mëdha gjermane janë vënë pas fantazistit shqiptar, i cili ka një vlerë të ulët në treg. Në Gjermani janë të bindur. "Nëse Skela do të luajë si kundër Shalkes, atëherë ai në merkaton e muajit janar do të jetë pjesë e një ekipi që luan në Ligën e Kampioneve", - thuhet nga një burim pranë menaxherit të trekuartisit.
CHAMPIONS - Tri ekipe gjermane marrin pjesë në fazën e grupeve në Ligën e Kampioneve: Verder Bremen, Shalke 04 dhe Shtutgardi. Shanset për t'u kualifikuar në grupin e 16-të më të mirave i kanë "qymyrxhinjtë" e Shalke 04 dhe Verder Bremen.
JETËSOR – Basler jep edhe një vlerësim për shqiptarin Fatmir Vata, i cili luan në ekipin e tij dhe nuk kursehet në lëvdatat e tij rreth formës së jashtëzakonshme të sulmuesit veteran. "Fatmir Vata është një nga lojtarët tanë thelbësorë dhe prania e tij na jep një siguri të madhe. Sigurisht, ai do ta meritonte një ftesë nga Oto Baric për në Kombëtare, por unë personalisht do të isha kundër kësaj ftese, për shkak të impenjimeve që ka ekipi ynë. Me sa di unë, në të kaluarën Vata ka pasur probleme me Hans Peter Brigelin".

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›