Të gjithë festojnë, Kapllani hidhërohet

"KSC olé, olé – superkipi nga Baden". Kjo është kënga e tifozëve të Karlsruhes, skuadrës gjermane që po bën bujë në Bundesliga 1. Djemtë e Bekerit festuan më të madhe, por vetëm një nga djemtë "blu", ishte i hidhëruar.
PEZMATIMI I KAPLLANIT - Karlsruhe arriti një fitore të rëndësishme kundër Duisburgut (1-0, gol i kapitenit Egiman), por ajo që vunë re mediat gjermane ishte pezmatimi i madh i Edmond Kapllanit në bankinë, teksa për herë të parë shqiptari i kërkoi falje trajnerit Edmund Beker. Kapllani dëshironte fort ta mbyllte krizën personale, por ai nuk arriti ta shndërronte në gol penalltinë në minutën e 87-të, duke e goditur atë shumë keq duke e hedhur topin pa forcë direkt e në duart e portierit të Duisburgut, Tom Starke.
KRITIKA E BEKERIT - "Kjo ishte rruga e gabuar. Goli i sigurisë na duhej", - tha pas ndeshjes trajneri Beker. "Ky veprim me hidhëroi shumë". Në fakt, te Karlsruhe gjuajtjet e penalltive janë marrë përsipër gjithmonë nga Tamas Hajnal dhe Masimilian Porcelo. Kapllani u ka rënë me shkelm disa shanseve të mëdha gjatë ndeshjeve të fundit. Në ndeshjen e Kupës kundër Volfsburgut, trajneri Beker ia fali Kapllanit, mosshfrytëzimin e rastit më të mirë, madje trajneri ishte mbrojtësi më i madh i shqiptarit, duke besuar në rigjetjen e formës së durrsakut.
KAPLLANI EGOIST - "Unë nuk do ta ndërroja atë, edhe sikur të humbiste edhe tre raste të pastra për gol". Tashmë mendimi i Bekerit ka ndryshuar për sulmuesin e tij, nisur kjo dhe nga forma e dobët e tij: "Po tregon se është edhe egoist". Në sezonin e kaluar në Bundesliga 2, Kapllani shënoi 17 gola, por deri tani në sezonin e tij të parë në Bundesliga 1, ai ka dëshmuar se është nën formë. Por shqiptari 25-vjecar refuzon cdo koment për gabimet e tij. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare ende nuk ka shënuar golin e tij të parë zyrtar.
FRENA EUFORISË - Karslruhe në fakt është duke përjetuar një moment shumë të mirë, madje askush nuk e priste që kampionia e Bundesligës 2, të ishte pesë pikë pas Bajernit të vendit të parë dhe pesë pikë para para Shalkes së vendit të pestë. Për objektiva të rinj trajneri Beker nuk dëshiron të flasë, përderisa nuk i ka garantuar të 40 pikët, që konsiderohen edhe si kufiri maksimal për të qëndruar në Bundesliga 1. "Mainci në fazën e dytë grumbulloi 23 pikë, por megjithatë u rrëzua nga kategoria", - sqaroi Beker, i cili dëshiron të vendosë frena euforinë së lojtarëve të tij. "Kur unë shkoj pas ndeshjes në dhomën e trajnerit, pi vetëm një gotë ujë për të hequr shijen e ëmbël të fitores", - thotë trajneri 51-vjecar duke qeshur. Karlsruhe ka gjashtë ndeshje pa humbur dhe ndodhet në vendin e katërt.
Lala, më i miri
Altin Lala është vlerësuar me paraqitjen e tij, si lojtari më i mirë shqiptar që luan në Gjermani në ndeshjet e vlefshme për javën e 12-të të Bundesligës. Hanoveri i tij fitoi 2-1 me Borusian e Dortmundit dhe Lala u vleresua me noten 3 (Mire). Notat e revistës së njohur gjermane "Kicker" e kanë përcaktuar Edmond Kapllanin si lojtarin më të dobët të Karlsruhes në takimin Karlsruhe-Duisburg (1-0). Durrsaku është vlerësuar me notën 5 (shumë keq). Skela, nga ana e tij në ndeshjen e Energi kundër Shalkes (1-0) është vlerësuar pozitivisht (3.5), duke qenë ndër më të mirët në ekipin e tij.