E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana: Zgjodha Serinë A, ndiqet shumë në Shqipëri

LACIO- Lorik Cana ka bërë prezantimin me fanelën e Lacios ditën e djeshme, duke qenë në qendër të vëmendjes së mediave dhe tifozëve bashkë me Xhibril Sise. Klubi kryeqytetas ka nxjerrë në një konferencë për shtypin të gjitha blerjet e reja, duke nisur nga mesfushori i kombëtares shqiptare.

Në qendrën stërvitore të Auronzo di Cadore, Cana ka treguar edhe arsyet përse zgjodhi Lacion, duke e lidhur atë edhe me tifozerinë shqiptare. "Zgjodha Lacion, sepse luan në kampionatin më të mirë të botës, - deklaroi Loriku. - Seria A është speciale, këtë e dinë mirë edhe bashkëpatriotët e mi në Shqipëri", shtoi ai, referuar faktit se kampionati italian mbetet ende më i ndjekuri nga tifozët shqiptarë. Më pas, vendosmëria e mesfushorit të kombëtares kuqezi ka tërhequr jo pak vëmendjen e gazetarëve.

Cana është shprehur tepër ambicioz për projektin e presidentit Lotito, duke e futur ekipin bardhekaltër në grupin e skuadrave që do të luftojnë për titullin kampion. "Për Lacion është normale që të kërkojë të fitojë të tre kompeticionet ku do të marrë pjesë, - tha ai. - Gjithçka është e rëndësishme për ne. Ekziston vullneti për të bërë një paraqitje të mirë kudo. Kemi cilësi, kemi futbollistë të mëdhenj dhe them se kemi një shans të madh", shtoi Cana.

Më pas, gazetarët italianë e kanë "ngacmuar" për epitenin "Luftëtari", që mesfushorin kuqezi e ka shoqëruar në çdo klub ku ka luajtur. "Jam i ashpër? Po, por në aspektin pozitiv, - deklaroi Loriku. - Kam qenë gjithnjë kështu, në Francë dhe në Angli. Por, këtu te Lacio ka liderë të tjerë. Unë do të sjell këtu mentalitetin tim dhe gjithë eksperiencën që kam fituar, për të çuar përpara një klub që po rritet", u shpreh më tej futbollisti kuqezi.
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›