Cana, akord me Lacion, por shkon në huazim
ITALI- Kalimi i Lorik Canës te Lacio tashmë duket një çështje orësh. Mediat italiane kanë raportuar sot se klubi bardhekaltër dhe Gallatasaraji kanë arritur akordin për transferimin në Romë të mesfushorit të përfaqësueses shqiptare. Kështu, sipas të përditshmes “Il Mesaggero”, Lacio do ta marrë Canën me formulën e huazimit, duke paguar 1.5 milionë euro për të. Vitin tjetër, ajo duhet të blejë komplet kartonin, duke paguar edhe 3.5 milionë euro të tjerë. Kjo gazetë shkruan se “Luftëtari shqiptar është dashur kudo ku ka luajtur dhe në asnjë klub nuk është harruar, ndërsa tifozët e Lacios tashmë janë duke e studiuar në “youtube””. Sipas saj, transferimin e ka bërë më të shpejtë trajneri turk Fatih Terim, që ka deklaruar se dëshiron të mbështetet te futbollistët turq dhe jo te të huajt. Ndërkohë, vetë Cana është që prej ditës së martë në Francë, ku po zhvillon vizitat mjekësore. Kjo, pasi ai dëshiron të jetë i gatshëm dhe të mos dështojë në testet që do të kryejë në klubin e ri. Thënë ndryshe, largimi i Canës nga Stambolli duket tashmë një fakt i kryer.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)