E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana di recetën për të mundur Lionin



Diçka më pak se 24 orë përpara përballjes së madhe të Olimpikëve në Francë, atij të Lionit dhe Marsejës, një nga ndeshjet më të ndjekura të kampionatit francez, Lorik Cana shprehu opinionin e tij gjatë një interviste të dhënë për faqen zyrtare të klubit të Marsejës. “Për të mundur Lionin duhet të bëjmë atë performancë siç kemi bërë dhe vitet e tjera. Mamadu Niang ka shënuar jo pak kundër Lionit, por duhet të bëjmë edhe pa atë. Duhet të jemi në një nivel shumë të mirë për ta fituar këtë ndeshje. Nuk ka asgjë specifike për të mundur Lionin. Ne kemi cilësitë tona dhe nëse çdokush jep më të mirën për ekipin, atëherë do ta fitojmë dhe këtë takim”.
SKELA - Bajern Leverkusen barazoi 1-1 me Energi Kotbusin e Ervin Skelës. Fantazisti shqiptar dha asistin e golit të barazimit të shënuar nga Shao në minutën e 90-të. Në minutën e 65-të Skela krijoi një tjetër rast të madh për të kaluar në avantazh Energi Kotbusin, por ndërhyrja e mbrojtësit kundërshtar Barneta shpëtoi portierin e Bajern Leverkusenit, Adler.
KAPLLANI - Herta e Berlinit u tregua e pamëshirshme ndaj Karlsruhes, duke e shkatërruar skuadrën e Edmond Kapllanit me rezultatin 4-0 në “Olimpiastadion”. Trajneri Beker luajti në këtë takim me dy sulmues. Sulmuesi i Kombëtares shqiptare e nisi takimin si titullar, por i pafat në disa raste u zëvendësua nga australiani Xhoshua Kenedi në minutën e 65-të.
MAVRAJ -Bokum i Mërgim Mavrajt humbi shtëpi 1-2 me Këlnin. Mbrojtësi Mavraj luajti gjatë gjithë takimit. Eintraht Frankfurt i Faton Toskit humbi në transfertë me Hamburgun (1-0). Mesfushori kosovar luajti si zëvendësues nga minuta e 71-të.

Murinjo mëshiron Adrianon

“Të gjithë e meritojnë një mundësi të dytë”. Kështu, tekniku i Interit, Hoze Murinjo, ktheu në shtëpi Adrianon. “Nëse ky klub i ka dhënë mundësinë dikujt që ka pështyrë në fytyrë një kundërshtar, përse të mos ia japin një tjetër mundësi Adrianos? - tha Murinjo, duke replikuar me Mihajloviçin. “Adriano, - përfundon Murinjo, - ka marrë trajtimet dhe shkoi në shtëpi, duke parë se nuk mund të luajë ashtu si të gjithë lojtarët e tjerë”.

Ronaldinjos i pëlqen argëtimi

Ronaldinjo po kalon ditë të bukura me Milanin. Megjithatë, kujtimet e sezonit të kaluar dhe ndarja e tij me Barcelonën qëndron akoma një temë delikate. Braziliani flet për gazetën italiane “La Stampa”: “Në çdo shtyp ka fantazma që flasin keq për mua. Realiteti është që unë jam një tip normal. Pas ndeshjeve më pëlqen të argëtohem. Kjo është e vërtetë. Diskotekat për këtë janë. Në djall të venë moralistët”.

Anton Lleshi, president i ri i Xhudos

Më datën 13/12/2008 u zhvillua sipas vendimit të Komitetit Drejtues të Federatës Shqiptare të Xhudos, Asambleja Zgjedhore e Federatës Shqiptare të Xhudos. Ishin përfaqësues të klubeve dhe shoqatave sportive. Asambleja zhvilloi punimet e saj konform statutit tip të miratuar në Asamblenë vjetore, Janar 2008. Në këtë Asamble u miratuan edhe disa shtesa , bazuar në Ligjin nr. 9376, 21/04/2005, "Për Sportin" të ndryshuar. Presidenti paraqiti një raport mbi objektivat e realizuara dhe një raport financiar për 2008, njëkohësisht në këtë Asamble u miratua projektkalendari për vitin 2009 si dhe votuan për buxhetin e 2009. President i Federatës Shqiptare të Xhudos u zgjodh Anton Lleshi si dhe 4 anëtarë të Komitetit Drejtues.

14 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›