Cana feston Ligën e Kampioneve: Duhet të vazhdojmë rritjen
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare, Lorik Cana, do të luajë edhe në edicionin e ardhshëm të Ligës së Kampioneve, pasi Olimpiku i Marsejës u kualifikua në turin paraeliminator të këtij turneu, duke marrë vendin e tretë në kampionatin francez. Futbollisti kishte deklaruar prej kohësh se qëndrimi i tij te Marseja do të varej nga arritja e këtij objektivi dhe tashmë kapiteni është i gatshëm të vazhdojë projektin e nisur këtë vit. "Ndeshja e fundit me Strasburgun ishte pak a shumë imazhi i sezonit, me ngritje dhe zbritje. Ne arritëm që ta mbyllnim me sukses, duke marrë vendin e tretë që ishte objektivi sezonal. Ne do të nisemi me pushime për të qenë të gatshëm për të kaluar turin eliminator, pasi është shumë e rëndësishme të kualifikohemi në fazën e grupeve. E filluam me vështirësi sezonin, por e dinim që nuk do të vazhdonte njëlloj. Kemi punuar shumë dhe kemi bërë shumë sakrifica. Kjo është hera e parë që nga viti 1993 që Olimpiku i Marsejës kualifikohet për dy vite radhazi në Ligën e Kampioneve, por nuk duhet të ndodhë kështu. Duhet të bëjmë maksimumin që një gjë e tillë të jetë e zakonshme për këtë skuadër", deklaroi Cana.