Bylis dhe Apolonia në Superiore, Lushnja e Burreli në "playout"
Java e fundit e Kategorisë së Parë ka dhënë edhe verdiktet e këtij sezoni, që ashtu si Superiorja, janë vendosur vetëm në javën e fundit. Bylisi është shpallur kampion i kësaj kategorie, ndonëse është mundur 3-2 nga Lushnja, e cila ka ruajtur vendin e tretë në renditje, duke marrë pjesë në "playout" për t‘u ngjitur në Superiore, ku do të ndeshet me Kastriotin. Ndërkohë, supersfida mes Laçit dhe Apolonisë, për të cilën ishin vendosur gjyqtarë të huaj, ka përfunduar në barazim 1-1, duke e lënë skuadrën fierake në vendin e dytë, që e çon direkt në Superiore. Për sa i përket ekipit laçian, barazimi ka qenë si një humbje, pasi fitorja 3-1 e Burrelit në fushën e Turbinës u ka mundësuar matjanëve të rrëmbejnë vendin e katërt dhe kualifikimin në "playout", ku do të vihen përballë Teutës.