E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana konfirmon Skelën: Po, shiritin ma dha vetë

Shiriti i kapitenit të kombëtares në krahun e Lorik Canës në sfidën kundër Francës ka çuditur disi tifozët kuqezinj, jo sepse Loriku nuk e meriton, por sepse në përfaqësuese ka një hirearki të caktuar në lidhje me rolin e liderit në fushë. Normalisht, shiritin e kapitenit e mban lojtari që ka numrin më të madh të ndeshjeve me përfaqësuesen dhe momentalisht ky lojtar është Altin Lala me 73 sfida të luajtura për Shqipërinë. Por duke qenë se lojtari i Hanoverit ishte në stol në sfidën kundër Francës, shiriti i kapitenit kalon automatikisht tek Ervin Skela, i treti mes kuqezinjve me 73 ndeshje (Duro është i dyti me 75 ndeshje). Cana, me 47 ndeshjet e tij, renditet i pesti, pas Bogdanit me 59 ndeshje, ndaj pas sfidës u përfol për pakënaqësi mes kuqezinjve pasi trajneri Kuzhe ia kishte besuar pikërisht Lorikut rolin e kapitenit. Vetë Cana, ka sqaruar se ishte Skela ai që ia kishte dhënë këtë detyrë. “Shiritin e kapitenit ma dha Ervini duke më thënë se për mua, kjo kundër Francës është një ndeshje e rëndësishme, duke qenë se jam rritur si futbollist atje. Nuk ka asnjë keqkuptim apo hatërmbetje mes nesh,” ka konfirmuar Lorik Cana, të njëjtën frazë, sikundër edhe Skela.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›