Katastrofë në Luksemburg, “bankierët” turpërojnë Shqipërinë

Humbje shokuese për kombëtaren tonë, 2-1. Është një humbje që rëndon shumë tek ndeshja e ditës së martë, ku përballë kuqezinjve ishin modestët e Luksemburgut. Kombëtarja ka kaluar në disavantazh në minutën e 27. Bettmer ka shënuar një gol të bukur me të majtën duke e bërë më të vështirë ndeshjen. Pjesa e parë e takimit është mbyllur me rezultatin 1-0.
Në pjesën e dytë, Shqipëria barazoi rezultatin me anë të Bogdanit në minutën e 64, vetëm 10 minuta pas daljes me karton të kuq të Agollit për një goditje me bërryl të kundërshtarit.
Kur dukej se kombëtarja mund të shënonte golin e dytë, Luksemburgu ndëshkon sërish: një goditje e bukur e Joachim dhe një gabim i Ujkanit vështirësojnë sërish mbrëmjen për përfaqësuesen kuqezi.
Mbrëmja mbyllet si mos më keq, kur në minutën e 84, Erjon Bogdani merr 2 kartona të verdhë brenda pak minutash, duke lënë Shqipërinë me 9 lojtarë në fushë dhe me asnjë shpresë për reagim.