E Shtunë, 31 Tetor 2026

Salihi kërkon maksiumin: 3 pikë me Luksemburgun

Sulmuesi shkodran, pavarësisht mungesave të shumta në mbrojtje, beson se sot Shqipëria do të arrijë maksimumin

Salihi është i bindur se kuqezinjtë mund të fitojnë ndaj Luksemburgut, ndonëse kanë shumë mungesa dhe reparti më i prekur është mbrojtja. Sipas sulmuesit shkodran, fitorja ndaj shtetit të vogël është një detyrim, çka do të bënte që humbja me Francën të kalonte pas shpine “kemi mungesa të rëndësishme, - ka thënë Salihi, por fitorja me Luksemburgun është një detyrim”.

Sulmuesi i Rapidit të Vjenës është padyshim më produktivi mes kuqezinjve, për golat e shënuar në këtë fushatë eliminatorësh. Nga 5 golat e realizuar në total nga Shqipëria, dy i ka shënuar pikërisht Salihi, të cilët i kanë dhuruar 6 pikë kuqezinjve, kundër Luksemburgut në Tiranë dhe kundër Bjellorusisë, po në Tiranë. Sidoqoftë, sulmi i kuqezinjve është i parafundit në grupin D, sikundër edhe mbrojtja që ka pësuar 8 gola. Megjithatë, kundër Luksemburgut, sulmuesit do të kenë një mundësi të mirë për të shënuar dhe sytë janë drejtuar pikërisht te Salihi. "Pas humbjes kundër Francës, tashmë na mbetet që fitojmë ndeshjen ndaj Luksemburgut. Jemi pa disa lojtarë titullar, megjithatë ne duhet të rikuperohemi dhe marrim fitore ndaj Luksemburgut", ka thënë sulmuesi, i cili nuk harron të shtojë se në sulm ka edhe lojtarë të tjerë të mirë. “Bogdani është në formë dhe ka barazuar rekordin e Bushit, ndërsa edhe Kapllani ka shënuar kundër Luksemburgut më parë”, shtoi shkodrani, duke iu referuar fitores 3-0 të katër vjetëve më parë, kur Kapllani, asokohe në radhët e Karlsruhes, shënoi një dygolësh.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›