E Shtunë, 31 Tetor 2026

Luksemburgu, prova e zjarrit e trajnerit Kuzhe

SHKRUAN: Jeton Selimi 06-09-2011 14:08

Kombëtarja kuqezi dhe trajneri kroat, Josip Kuzhe, mund t’i japin fund bashkëjetesës mes tyre, në rast dështimi të transfertës së sotme. Luksemburgu nuk është vetëm një fitore e detyruar për moralin e lojtarëve, por edhe një fitore e detyruar për trajnerin Kuzhe. Kroati, që nuk do të ketë në dispozicion 4 titullarë të mbrojtjes, praktikisht një repart të tërë, duhet të “arnohet” me ata që ka në dispozicion dhe të sigurojë patjetër një fitore, që do të mund të lehtësonte pozitat e tij në korridoret e Federatës Shqiptare të Futbollit. Pikërisht, nga godina kuqezi kanë dalë edhe fjalët e para në lidhje me një shkëputje përfundimtare të bashkëpunimit Kuzhe-FSHF, pasi presidenti Duka, nuk është shumë i bindur që t’i ofrojë kroatit një kontratë tjetër dy-vjeçare, që do të përfshinte nisjen e revolucionit të detyruar (pasi nëse Lala, Skela, Bogdani, Duro, etj nuk do të deklaronin tërheqjen, vështirë se do të hiqen dorë prej tyre) për fushatën eliminatore, të vlefshme për Botërorin Brazil 2014, që do të nisë shtatorin e ardhshëm. Fjalët e presidentit Duka janë komentuar si një “kërcënim” për kroatin, i cili e ka fort të qartë mesazhin e dhënë nga kreu i FSHF-së. “Kjo, është ndoshta sfida më e vështirë e Shqipërisë në grup, pasi është një ndeshje që duhet fituar me patjetër. Pavarësisht dëmtimeve, nuk ka alternativë tjetër, duhet fitorja. Mendoj se ky grup duhet t’i përfundojë këtë fazë eliminatore, dhe pasi të mbyllet fushata një pjesë e skuadrës duhet të largohet, ndoshta edhe në masën 30-40 për qind. Kuzhe? Opinioni im deri tani është pozitiv, por gjithsesi është akoma shpejt. Janë akoma tri ndeshje zyrtare, si dhe të paktën, një miqësore. Janë shumë për të menduar nëse do të rinovohet apo jo.” Nënteksti është i qartë. Kuzhe duhet të fitojë patjetër me Luksemburgun dhe të marrë si minimum një barazim me Rumaninë, në rast të kundërt, rinovimi nuk do t’i ofrohet të besuarit të Oto Bariç-it.

Kuzhe rrezikon gjithçka, në fushë tre sulmues

Për të vërtetuar gjithë sa u tha më lart, ka menduar vetë trajneri Josip Kuzhe, që ndryshe nga parashikimet, në ndeshjen e sotme do të rreshtojë të gjithë veteranët, me shpresën për të siguruar fitoren e qetësisë. Madje, kroati ka shkuar më larg se kaq. Si kurrë më parë, ai do të rreshtojë tri sulmues: Bogdanin, Salihin e Kapllanin, me misionin e shënimit të sa më shumë golave, për të mbuluar hapësirat e lëna në mbrojtje nga pezullimi i Canës me shokë. Lala, Skela apo edhe Duro, do të jenë titullarë nga minuta e parë, në një skemë 4-3-3, për të arritur.

Formacioni i mundshëm

Ujkani

Vangjeli, Veliu, Teli, Agolli

Duro, Lala, Skela

Salihi, Bogdani, Kapllani

4-3-3

Grupi D

Skuadra N F B H Gol P

1) Franca 7 5 1 1 11-3 16

2) Bosnja 7 4 1 2 10-7 13

3) Bjellorusia 7 3 3 2 6-4 12

4) Rumania 7 3 2 2 10-6 11

5) Shqipëria 7 2 2 3 5-8 8

6) Luksemburg 8 0 1 7 1-15 1

Ndeshjet

6 shtator

Luksemburg – Shqipëri 20:15

Bosnje – Bjellorusi 20:15

Rumani – Francë 20:30

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›