E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, “kundër” të kaluarës së Ari Hanit



Ajaksi i Amsterdamit, ish-skuadra e trajnerit aktual të Kombëtares shqiptare, holandezit Ari Han, është kundërshtari i Olimpikut të Marsejës të Lorik Canës, në një të tetat e Kupës UEFA.
Ajaksi është i dyti ekip radhazi holandez që do të përballet me Marsejën, por katër herë kampionët e Europës, me të cilët Hani ka fituar tri trofe, janë pa dyshim emër më i frikshëm se modestët e Tuentes, pavarësisht se këta të fundit për momentin ndodhen më mirë në renditjen aktuale të kampionatit holandez.
“Ne kemi ambicie të mëdha në këtë kompeticion. Kjo ndeshje na rifuti sërish në garë. Do të bëhemi akoma më shumë ambiciozë. Kemi dëshirë të shkojmë në finale”, - tha Cana, pas kualifikimit të lodhshëm, që kërkoi 210 minuta lojë, plus penalltive.
Mediat franceze i thurën elozhe rikthimit të bujshëm të kapitenit të Olimpikut të Marsejës dhe punës së jashtëzakonshme së shqiptarit kundër Tuentes, që prodhoi edhe kualifikimin nga gjuajtjet e penalltive të skuadrës franceze.
Sipas faqes franceze foot1.com, mesfushori shqiptar ishte së bashku edhe me Ben Arfën, autorin e golit të shkëlqyer të Marsejës, që çoi skuadrat në kohën shtesë, dy lojtarët më të mirë të skuadrës.
Te Loriku, i cili kthehej në aksion pas 60 ditëve, u pa dukshëm gjendja e mirë e kondicioni fizik, teksa Cana ia doli të neutralizojë me disa ndërhyrje vendimtare sulmuesin e Tuentes, N’Kufo.
“Ashtu siç e kishim parashikuar, - tha Cana pas kualifikimit, - ishte një ndeshje e vështirë, me shumë përkushtim. Ishte me të vërtetë në kufijtë e të pamundurës të kërkoje kualifikimin, pasi Tuente nuk kishte fituar rastësisht në shtëpinë tonë (0-1). Për fat të mirë vendosëm ekuilibrat në kohën e duhur dhe tashmë ne jemi në të tetat e finaleve”.
“Grupi tregoi solidaritet si në fazën sulmuese, ashtu dhe në atë mbrojtëse. Më pas, gjenia e Hatem Ben Arfës pagoi sakrificën tonë. Kjo ndeshje na rifuti sërish në garë. Do të bëhemi akoma më shumë ambiciozë. Kjo ndeshje (ajo kundër Tuentes) do të na shërbejë shumë. Lëshuam pak nga ana fizike, por fituam një mentalitet të madh”, - tha kapiteni i Marsejës për faqen zyrtare të klubit.
Trajneri i Marsejës, Erik Gerets, e vlerësoi rëndësinë e pranisë fizike dhe udhëheqëse në lojë të Canës, duke e zëvendësuar shqiptarin në minutën e 94-t.
Mediat franceze raportuan edhe për një dëmtim të lehtë të Lorikut, por përfundimisht Gerets e thirri mesfushorin shqiptar për ndeshjen e së dielës kundër Kaen në kampionatin francez, Liga 1.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›