E Diel, 1 Nëntor 2026

Tata Nano, automjeti më i lirë në botë për 1984 USD



Me krizën ekonomike, gjithkush do të ishte i interesuar të bënte të vetin një automjet më të lirë se të tjerët. Kompania indiane “Tata Motors” ka njoftuar se makina më e lirë në botë, “Nano”, do të prezantohet më 23 mars në Mumbai ndërkohë që nga mesi i muajit prill do të nisë marrja e porosive për blerje. Modeli bazë pritet të kushtojë 100 mijë rupi ose 1984 dollarë. Makina ishte planifikuar të prezantohej vitin e kaluar, por kompania “Tata” pati disa probleme, të cilat e detyruan ta shtynte prezantimin e risisë më të fundit teknologjike. Vendi për prodhimin e makinës “Nano” me katër dyer është caktuar në Sanand të Gujaratit, pasi autoritetet atje ofruan 1100 akra. “Tata Motors”, në një deklaratë për shtyp tha se po përpiqej të zgjeronte sa më shumë rrjetin e porositësve të makinës. Fabrika do të prodhojë fillimisht 250 mijë copë në vit, ndërsa vitin tjetër shifra do të rritet në 500 mijë. Edhe disa firma të tjera të prodhimit të makinave kanë planifikuar të konkurrojnë me “Nano”-n, por nuk kanë nisur ende prodhimin. Mendohet se ky model do të jetë i preferueshëm nga të gjithë, kryesisht nga femrat.

“Bugatti” feston 100-vjetorin me “Veyron”

“Bugatti” është një legjendë automobilistike, e cila së shpejti feston 100-vjetorin e krijimit. Sipas burimeve të pakonfirmuara, për jubileun e tij “Bugatti” do të paraqesë versionin special të modelit “Veyron”, simbolikisht i emëruar Centenaire (Njëqindvjeçar). Spekulimeve nuk u vjen fundi, ndërsa ata që kanë marrë përsipër të thone diçka më tepër shprehen se automjeti do të ketë motor quad-turbo dhe 1.350 kuaj fuqi dhe do të jetë në gjendje të arrijë shpejtësinë prej 420 kilometrash në orë. Duke marrë parasysh se ende asgjë nuk është vërtetuar zyrtarisht, na duhet të presim deri në ditën kur do të paraqiten informacionet zyrtare.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›