E Shtunë, 31 Tetor 2026

Raportet në çift, si të përballesh me një partner xheloz

Studimi: Xhelozia është një “sëmundje” mashkullore. Pakënaqësia vetjake, arsyeja e shfaqjes së problemeve

“Xhelozia është një përbindësh me sy të zgurdulluar, që pështyn mishin me të cilin ushqehet”, - përcaktimi, shumë letrar në fakt, vjen nga fjalët që Uilliam Shekspir ka vendosur në gojën e Otellos, arapit të Venecias dhe simbolit të mishërimit të kësaj ndjesie të dëshpëruar dhe, natyrisht, jo aq të këndshme. Edhe pse për ndokënd xhelozia është fytyra tjetër e dashurisë, kush e ka provuar e di se bëhet fjalë për një torturë të vërtetë. Dhe bëhet fjalë për një ”sëmundje”, mbi të gjitha, mashkullore: seksi i fortë është në fakt më pak i predispozuar për të pranuar mungesën e besnikërisë seksuale nga ana e partneres sesa është seksi i dobët për të pranuar një gjë të tillë.
Studimi
Këtë e bën të ditur një studim i publikuar në revistën “Evolutionary Psychology”, i kryer nga studiuesit e Universitetit të Filadelfias dhe Liverpulit, me një grup studentësh në universitetet e Anglisë dhe SHBA-së. Sipas studimit, në fakt, individët e seksit mashkullor janë më pak të predispozuar të pranojnë tradhtinë fizike të partnerit, ndërsa gratë vuajnë më shumë për shkak të tradhtisë së tipit sentimental. Me pak fjalë, ajo, nëse është shumë e dashuruar, mund ta falë tradhtinë, edhe pse me shumë mundim, sidomos nëse bëhet fjalë për ndonjë historiçkë të një nate nga ana e partnerit me një të panjohur, por ama nuk do të duronte dot një përfshirje më të thellë se kaq, pra një lidhje të vërtetë. Tërësisht e kundërta ndodh me burrat: përfundimisht, shumë më “primitivë” dhe posesivë në sensin fizik, burrat, në fakt, shqetësohen thellësisht nga fakti se partnerja mund të ketë një raport fizik me dikë tjetër. Pra, Shekspiri kishte të drejtë: Otello është pa dyshim një mashkull. Dhe rezultatet e studimit na tregojnë edhe arsyet: një tradhti e tipit seksual i shpëton strategjisë tipike mashkullore të “kontrollit” të partneres dhe “zotërimit të territorit”. Bëhet fjalë për një “mbetje” prehistorike që vjen që nga fazat e para të evolucionit. Kjo shpjegon edhe faktin se në rastet e kronikës së zezë, gati gjithnjë është burri ai që kryen akte të dhunshme dhe keqtrajton partneren apo ish-partneren në rastin kur raporti përfundon.

Pakënaqësia
Pakënaqësia vetjake është arsyeja kryesore e shfaqjes së problemeve të dashurisë. “Ti nuk më do aq sa të dua unë!”, - është shprehja më e thjeshtë e frikës nga dashuria. Problemet fillojnë të shfaqen atëherë kur ju filloni të pyesni veten: “Mos vallë unë e dua atë më shumë sesa ai më do mua?”. Në këtë moment, ne fillojmë të analizojmë gjërat që bëjmë për dashurinë tonë. Ne fillojmë të analizojmë mënyrën se si ne e shprehim dashurinë tonë dhe sa energji po harxhojmë për ta çuar atë përpara. Me pas, pasi e kemi analizuar mirë veten, ne përpiqemi të kuptojmë nëse partneri po na përgjigjet me të njëjtën monedhë apo jo. A po marrim diçka të ngjashme me atë që po japim? Në momentin që ne fillojmë të bëjmë krahasime të tilla, kemi filluar të largohemi nga marrëdhënia jonë. Ne nuk duam që të dashurojmë më shumë nga sa na dashurojnë. Kjo ndodh sepse femrat kanë frikë pasi mendojnë se meshkujt do të tallen me to. Fokusohuni tek ajo që bëni e si ndiheni kur dashuroni. Për të kuptuar se në cilin stad ka arritur marrëdhënia juaj duhet t’i bëni vetes pyetje të tilla: A ju bën të ndiheni mirë kur dashuroni dikë dhe ai jua kthen me të njëjtën mënyrë? A prisni që në qoftë se doni dikë, ai t’ju dojë me çdo kusht? Nëse po, përse? A ndiheni e dashuruar kur partneri nuk është pranë jush? Nëse jo, përse? A po bëni për të dashurin tuaj gjëra që në të vërtetë nuk do të donit t’i bënit, por e ndieni që është e nevojshme t’i bëni për ta pasur atë pas vetes? A po bëni ndonjë gjë veçanërisht për të duke pritur që një ditë t’jua shpërblejë? Çfarë po prisni? A keni folur me partnerin për ato gjëra që ju bëjnë të ndiheni të dashuruar?
Të përbashkëtat
Ju e dashuroni njëri-tjetrin e kjo është arsyeja kryesore përse ju jeni bashkë, por kohët e fundit duket se ka disa gjëra që nuk i keni më si më parë. Edhe pse kuptoheni mirë, nuk dashuroheni më si në fillim. Ju pëlqeni librat e të shkoni për shëtitje, ajo gjithmonë ka dëshirë të udhëtojë. Ju pëlqeni sportin, por vazhdoni të jeni të bindur për faktin që martesa është një sakrificë. Ju keni dëgjuar që në një martesë ju duhet të merrni dhe të jepni. Ju duhet të lini mënjanë interesat tuaja dhe të mendoni për të dy apo më tepër për personin që keni në krah. Për këtë ju duhet të bëni kompromise. Por, kur ju duhet të hiqni dorë nga gjërat që ju pëlqejnë më shumë për hir të marrëdhënies, ju nuk e kini këtë forcë, prandaj hiqni dorë dhe përfundoni se nuk keni asgjë të përbashkët. Nëse keni mbërritur deri këtu, do të thotë se nuk keni më shanse që të riktheheni tek intimiteti dhe marrëdhënia që keni pasur më parë. Pyetjet që mund të bëni në të tilla raste janë: A kanë ndryshuar gjërat që nga takimi juaj i parë? A ndani çdo gjë me partnerin tuaj ashtu siç bënit më parë? Çfarë do të ndodhte në qoftë se ju do të bëni gjërat që ju pëlqejnë dhe partneri juaj ato që do t’i pëlqenin? Sa kohë keni për të shpenzuar me partnerin tuaj e për të vlerësuar që marrëdhënia juaj është e suksesshme? Çfarë do të thotë për ju të kesh interesa të diferencuara? A e shihni veten dhe partnerin si dy persona të ndryshëm që kanë zgjedhur të jenë bashkë, apo si një detyrim për të qëndruar bashkë?
A mendoni vërtet se të dashurosh do të thotë të sakrifikosh? Nëse po, përse?
Problemet
Sa herë që prekni një temë të veçantë, ndodh që të shpërthejë një debat me të, shpesh ju përpiqeni t’i evitoni këto tema të tilla, por nuk ia dilni dot. Ju në fakt nuk keni aspak dëshirë të ziheni e të konfliktoni me njëri-tjetrin. Një zënkë do të thotë se gjërat në lidhjen tuaj nuk po shkojnë aspak mirë dhe, për më tepër, ajo mund të degjenerojë deri aty sa ju të ndaheni nga njëri-tjetri. Kështu që keni premisa shumë të theksuara për të prishur e shkatërruar lidhjen tuaj. Me kalimin e kohës, lista e gjërave dhe argumenteve që nuk duhen prekur fillon e shtohet aq sa duket se nuk ka më vend për të shtuar asgjë tjetër. Kështu për sa kohë lista e çështjeve që duhen evituar shtohet, ju ndieni se ka ardhur një moment kur ju nuk mund të flisni e të bisedoni më me njëri-tjetrin për pothuajse asgjë pa debatuar. Ju e ndieni shumë larg njëri-tjetrin dhe të huaj dhe në këto momente mendja juaj fluturon për të imagjinuar që edhe sa kohë do të mund të duroni një gjendje të tillë. Hendeku mes jush fillon të thellohet. Ja disa pyetje që mund t’ia bëni vetes në raste të tilla: A keni frikë se mos lëndoheni në dashuri? A do të thotë mospërputhja e mendimit mes dy njerëzve se ndjenjat e tyre janë cenuar? Nëse po, përse? Si mund të veproni ndryshe? Çfarë mund të ndryshoni? A e kufizoni apo privoni veten nga gjëra që do t’i bënit me kënaqësi kur jeni me partnerin? Përse? Çfarë do të ndodhte nëse ju do t’i linit ata të kuptonin se si jeni ju me të vërtetë, apo çfarë do të bënit ju? A është ndershmëria një hap i gabuar në lidhjen tuaj? Pse mendoni kështu? Mundohuni të flisni me partnerin tuaj për shqetësimet e tij dhe tuajat, ndërkohë që ju nuk duhet të harroni se duhet të përqendroheni te ndjenjat tuaja e jo tek ajo që i pëlqen atij apo këtij. Duhet të tregoni atë që ju jeni në të vërtetë, që lidhja juaj të jetë e sinqertë, e drejtë dhe një lidhje e vërtetë. Mësohuni që të pranoni partnerin tuaj duke pranuar më parë veten tuaj.

Këshillat për t’u përballur me një partner xheloz

Diskutoni problemin tuaj vazhdimisht me partnerin. Mundohuni të ruani bisedën në një nivel të qetë, për të qenë bindëse dhe aspak kundërshtare për mendimet e partnerit.
Sigurojeni atë që çdo gjë shkon mirë mes jush. Asgjë nuk ju pengon që çdo gjë të realizohet sipas dëshirave tuaja. Mjafton që ju të bashkëbisedoni për gjithçka.
Jini kërkues, por jo agresivë. Nëse flisni me nervozitet, ju mund të thoni në fillim atë që duhet thënë në fund apo nuk duhet thënë fare.
Mos jini alarmues. Jepini çdo gjëje kohën e vet. Nëse do ta bëni alarmante një gjendje, nervoziteti vetëm sa do ta tensionojë gjendjen.
Matuni para se të flisni, në mënyrë që të shmangni konfliktet e panevojshme. Jepni ide bindëse dhe të qarta jo gjëra të pamenduara mirë, për të cilat mund të pendoheni më vonë.
Bëhuni të këndshëm dhe të qartë në bisedat me partnerin. Duke qenë e dashur me të, mund t’i falni ngrohtësinë dhe besimin që i mungon. Një partner xheloz e ka atë ndjesi të lindur dhe nuk mund të gjykohet për këtë, por vetëm të ndihmohet për ta kapërcyer.
Jini fleksibël dhe mësoni të bëni kompromise. Jo gjithmonë duhet të bëni si doni vetë. Jeta në çift do të thotë ta pranosh partnerin siç është, me të mirat e të metat e tij. Duhet bashkëpunim dhe përshtatje.
Të kuptuarit është vetëm një pjesë e përballimit të këtij emocioni ndaj partnerit.
Përpiquni të kuptoni ndjesitë e tij apo të saj dhe mos u përpiqni ta bëni atë të ndihet në faj.
Përpiquni ta mbështetni partnerin tuaj sa më shumë të mundeni.
Duke i krijuar një komoditet të përkohshëm, shpesh mund të ndihmoni në zgjidhjen e problemeve me partnerin dhe si rrjedhim mund të çrrënjoset tërësisht xhelozia.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›