E Shtunë, 31 Tetor 2026

Koncepti “Kia No 3” në Gjenevë



Për të ruajtur reputacionin e vet në paraqitjen e automjeteve konceptuale të gatshme për prodhim, “Kia” në panairin e automjeteve të Gjenevës do të paraqesë konceptin No 3. Ky do të jetë një risi në tregun e automjeteve të vogla, i cili me një dizajn të mirë do të ofrojë fleksibilitet dhe mundësi të mira për të gjithë. Dizajnin e ka përgatitur ekipi europian i “Kias” me në krye Peter Shryer. Dallueshmërinë do ta sigurojë maska e re e përparme me logon, me drita krejtësisht të reja, xham të madh të përparmë dhe kulm panoramik. “Kia” njihet kryesisht për modelet super të mëdha dhe luksoze. Modeli më i fundit mendohet se do të jetë më i suksesshëm se gjithë modelet e mëparshme.

“iPhone King's Button” me ar, 2.5 milionë dollarë

Një iPhone krejtësisht i zakonshëm, por ajo që e dallon nga të tjerët është ari dhe gurët e çmuar duke e kthyer në një nga celularët më të shtrenjtë në botë. Argjendari australian Peter Aloison është i njohur për dekorimin e telefonave celularë dhe pajisjeve të tjera elektronike me zbukurime të shtrenjta. Vepra e tij e fundit është iPhone e emëruar “King's Button”. Bëhet fjalë për dekorimin më të shtrenjtë të Aloisonit deri tani. Telefoni celular është dekoruar me ar të verdhë, të bardhë dhe rozë prej 18 karatësh dhe me 138 brilante. Tasti kryesor i iPhone është dekoruar me diamant 6.6 karatësh. Çmimi i përgjithshëm i këtij dekorimi do të kushtojë 2.517.345 dollarë amerikanë.

Fshesë korrenti me kristale Swarovski

Kompania “Electrolux Floorcare” ka prezantuar fshesën më të shtrenjtë në botë me korent, e cila është quajtur “Crystal Ergorapido”. Kjo fshesë e pazakontë është dekoruar me 3.730 kristale Swarovski. “Crystal Ergorapido”, e cila është dizajnuar nga dizajneri polak i modës Lukas Jemiol, do të shitet me çmimin rekord prej 15.000 eurosh. Në kompaninë “Electrolux” bënë të ditur se kanë kontaktuar me përfaqësuesit zyrtarë të librit të rekordeve “Guinness”, sepse besojnë që kjo do të mund të ishte fshesa me korrent më e shtrenjtë në botë. Nuk dihet ende nëse ajo do të përdoret apo thjesht do të konsiderohet më e shtrenjta në botë dhe do të mbahet për zbukurim.

LG prezanton celularin transparent “GD900”

Për ata që duan të jenë ndryshe nga të tjerët, LG ka prezantuar një celular me tastierë të punuar nga plastika transparente. “GD900” dallohet për specifikat e tij të dizajnit. Pjesa transparente e tastierës do të jetë e ndriçuar. Trashësia e celularit do të jetë 13.4 milimetra, do të mund të lidhet në rrjetet HDSPA dhe në plan janë edhe dëgjueset Bluetooth të dizajnuara veçanërisht për të, të cilat do të mund të përshtaten në mënyrë të përsosur me celularin. Përveç këtyre, detajet e tjera nuk janë bërë ende të ditura. Nuk dihet gjithashtu nëse transparenca do të ndikojë në përdorimin e tij. Paraqitja në treg e këtij celulari është përcaktuar të jetë për tremujorin e dytë të këtij viti, me çmim tani për tani të panjohur.

28 Shkurt 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›