Kthimi i emigrantëve, oraret e kalimit për të shmangur radhët
GJIROKASTËR - Me qëllim shmangien e radhëve të emigrantëve gjatë kthimit të tyre në vendet e punës në Greqi, Policia e Gjirokastrës ka shpallur planin e masave për doganën e Kakavijës. Sipas burimeve zyrtare, plani ka nisur të vihet në zbatim dhe do të shërbejë më shumë për ditët në vijim, kur pritet edhe largimi i emigrantëve për në vendin fqinj ku jetojnë dhe punojnë. Sipas informacioneve të fundit, janë shtuar edhe 5 sportele të tjera në pikëkalimin kufitar, ndërsa janë bërë bisedime me homologët grekë për shtim të sporteleve edhe nga ana tjetër e kufirit. Policia u bën apel emigrantëve që udhëtojnë me makina që të shmangin oraret e pikut dhe të lëvizin kryesisht pas mesnatës, deri në orën 6 të mëngjesit dhe pas mesditës deri në orën 18:00. Policia e Gjirokastrës ka marrë masa edhe për sigurinë rrugore dhe të rendit përgjatë aksit drejt kufirit me Greqinë.
Masat
Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, pasi ka përballuar me sukses fluksin e ardhjes së emigrantëve dhe të turistëve për në Shqipëri me rastin e sezonit veror, ka marrë një sërë masash shtesë për të përballuar kthimin e emigrantëve në vendet e punës me qëllim shmangien e radhëve të gjata dhe përpunimin e dokumenteve në një kohë sa më reale, dhe konkretisht: Në Pikën e Kalimit Kufitar Kakavijë janë shtuar sportelet për në dalje me shtetin grek, nga 4 që ishin në 9 sportele dhe në rast fluksi të madh do të ketë edhe 5 sportele shtesë. Gjithashtu, nga ana e drejtorit të Drejtorisë Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër, drejtues Eduart Caka, është marrë takim me homologun e tij të Janinës dhe drejtorin e Epirit, për të koordinuar veprimet si dhe për të shtuar sportelet edhe policia greke, më qëllim që lëvizja të jetë e njëtrajtshme dhe të shmangen radhët e gjata.
Oraret
Për shmangin e radhëve të gjata dhe të pikut të fluksit, Drejtoria Rajonale për Kufirin dhe Migracionin Gjirokastër bën me dije të gjithë ata emigrantë dhe qytetarë që do të përdorin pikën e kalimit kufitar për të lëvizur për në shtetin grek me autovetura se oraret më të përshtatshme për autoveturat, duke shmangur pikun e fluksit, janë si më poshtë: nga ora 01:00 e mëngjesit deri në orën 06:00 të mëngjesit, si dhe nga ora 12:00 e drekës deri në orën 18:00. Kjo pasi prej orës 06:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 të drekës, si dhe prej orës 18:00 të mbrëmjes deri në orën 24:00, nëpërmjet kësaj pike lëvizin autobusët për në shtetin grek, ku numri i tyre është relativisht i lartë. Në oraret që përpunohet dokumentacioni i pasagjerëve të autobusëve konsiderohet pikë fluksi për shkak të numrit të madh të autobusëve që lëvizin në këto orare në drejtim të shtetit grek dhe për këtë arsye drejtuesit e autoveturave të shmangin këto orare dhe të lëvizin në oraret e lartpërmendura. Po kështu, janë marrë masa edhe nga Drejtoria e Policisë së Qarkut dhe Njësia Rajonale për Sigurinë Rrugore përsa i përket rendit dhe sigurisë në pikat e kalimit apo qendrat e banuara, si dhe për parandalimin e aksidenteve në akset rrugore jugore.
Oraret e këshillueshme për emigrantët
Ora 01:00 e mëngjesit deri në orën 06:00 të mëngjesit
Ora 12:00 e drekës deri në orën 18:00 të pasdites
Orët e kontrollit të autobusëve
Ora 06:00 e mëngjesit deri në orën 12:00 të drekës
Ora 18:00 të mbrëmjes deri në orën 24:00 të mbrëmjes
Zjarre në kullota e pyll, alarmohen banorët
TIRANË - Disa vatra zjarri janë shënuar ditën e djeshme në jug dhe veri të vendit, duke ngritur në alarm banorët e këtyre zonave. Pasditen e së enjtes, në fshatin Arshilengo të Gjirokastrës, rreth kodrinave kanë shpërthyer flakë zjarri në disa vatra. Zjarri ka përfshirë dhe drurë të pishave të pyllit të fshatit, duke djegur shumë prej tyre. Zjarrfikësit, të lajmëruar për situatën, nuk kanë mundur të ndërhyjnë direkt në shuarjen e flakëve për shkak të terrenit të thyer. Kanë qenë banorët që me mjete rrethanore janë munduar të fikin vatrat e zjarrit. Dyshohet se zjarret mund të jenë shkaktuar nga pakujdesia.
Po rreth mesditës së djeshme janë djegur rreth 5 ha shkurre në kodrat e Urës Vajgurore. Zjarri u lokalizua në kohë nga banorë të Urës Vajgurore. Kurse në Himarë, flakët e zjarrit dogjën sot një ndërtesë të pabanueshme si dhe shkurret rreth banesës. Zjarri hapi panik te banorët që mundësuan fikjen e flakëve. Ditët e fundit zjarr ka pasur dhe në zonën e Pilurit. Në komunën e Iballës në Pukë, një zjarr që dyshohet i qëllimshëm ka djegur të paktën 6 hektarë pyje. Për shuarjen e tij janë angazhuar forcat zjarrfikëse, njëkohësisht dhe banorët e zonës. Sipas të dhënave, flakët janë vënë nën kontroll. Ndërkaq, policia po heton për gjetjen e zjarrvënësve.
E dhunonte burri, e reja e denoncon në polici
DURRËS - Një 23-vjeçare nga qytet i Shijakut ka denoncuar burrin e saj për ushtrim dhune në mënyrë të përhershme nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kishin vetëm pak kohë që ishin martuar, duket se për çiftin e ri gjërat nuk kanë shkuar siç duhet. Burri me inicialet E. R., lindur në Maminas e banuese në Shijak, pak kohë pas martesës kish filluar të ushtronte dhunë dhe ta fyente e poshtëronte bashkëshorten e tij. Për këtë qëllim vajza është paraqitur në komisariatin e policisë për të kërkuar ndihmë nga dhuna e përditshme e burrit të saj, 24-vjeçarit me inicialet E. R. Policia tha se pas kërkesë-padisë së vajzës së re është lëshuar urdhri i mbrojtjes së menjëhershme nga 24-vjeçari. Sipas policisë, “vajza është paraqitur pranë Komisariatit të Policisë Durrës ku ka bërë kallëzim ndaj bashkëshortit të saj, shtetasit E. R., lindur e banues në Shijak, me arsim 8 klasë, duke pretenduar se ky i fundit ka ushtruar ndaj saj dhunë fizike e psikologjike”, - thuhet në njoftimin e policisë. Ndërkohë që pas marrjes në mbrojtje, materialet ndaj 24-vjeçarit i kanë kaluar ndjekje penale Gjykatës së Rrethit Durrës.
Dhunon babë e bijë, arrestohet 30-vjeçari Gjoka
TIRANË - Një 30-vjeçar është arrestuar një ditë më parë nga Policia e Tiranës për ushtrim dhune. Alfons Gjoka, banues në Tiranë, ka sulmuar disa ditë më parë dhe ka goditur me grushte dhe me shkelma dy persona, babanë dhe vajzën e tij. Ngjarja ka ndodhur më datën 10 gusht në Vorë, në afërsi të postës së kësaj zone. Sipas policisë, ngjarja ka ndodhur për motive të dobëta, ndërkohë që 30-vjeçari njihet për precedentë penalë. Dy personat që janë goditur nga Gjoka janë Bashkim Bejte, 50 vjeç, banues në Tiranë dhe Arjola Bashkim Bejte, 20 vjeçe. Gjoka është dënuar më parë për plagosje dhe për thyeje të masave të vendosura nga policia për dhunën në familje.
GRAMSH - Një grua ka tentuar t’i japë fund jetës duke u hedhur nga dritarja e apartamentit të saj, të ndodhur në katin e katërt të një pallati. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë në lagjen “Sporti” të qytetit të Gramshit. Burime zyrtare nga Policia e Elbasanit thanë se ngjarja ka ndodhur gjatë orëve të natës.
Dy ditë më parë, uniformat blu kanë marrë informacionin se 35-vjeçarja me inicialet M. B., lindur e banuese në lagjen "Sporti", Gramsh, është hedhur nga dritarja e dhomës, nga kati i katërt i pallatit ku banonte. Pas ngjarjes ajo është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit dhe më pas është shoqëruar për në Tiranë. Aktualisht 35-vjeçarja ndodhet në Spitalin Ushtarak, jashtë rrezikut për jetën. Në vendngjarje kanë shkuar efektivët e policisë dhe një grup hetimor, i cili po punon për të përcaktuar motivet e shkakun e ngjarjes.
21 Gusht 2010