E Diel, 1 Nëntor 2026

Cana në fushë pas dëmtimit: Nuk jemi inferiorë

Optimizmi i Mavraj: Do shkojmë në Norvegji për të fituar

canaDurrës – “Shqipëria nuk është inferiore”. Më këtë bindje kapiteni i kombëtares kuqezi, Lorik Cana karikon skuadrën në prag të ndeshjes të premtes kundër Norvegjisë në Oslo. Cana ka kaluar frikën për dëmtimin në kavilje dhe do të jetë në fushë që nga minuta e parë. Një lajm i mirë për përfaqësuesen shqiptare dhe trajnerin De Biasi, që mund të mbështet te një prej futbollistëve më të rëndësishëm.
Deklarata
“Kjo është ndeshje kyçe, jemi në vendin e tretë jo në vendin e dytë. Me një pikë përpara, një humbje nuk është se na mbyll se do kemi dhe 5 ndeshje të tjera. Nuk e ndjejmë veten shumë inferiorë dhe dimë që kemi kundërshtar të fortë përballë. Do mundohem të kapim një rezultat të mirë, para se të presim të njëjtin kundërshtar në qershor në Tiranë”, tha Lorik Cana, kapiten i Kombëtares.
Mavraj
Rrit dozat e optimizmit Mërgim Mavraj. Mbrojtësi vlerëson kundërshtarët, por nuk ka aspak frikë të flasë për një fitore në Oslo. “Ndeshje me një rëndësi të madhe kështu që do shkojmë në Norvegji për të fituar, jo për të arritur një barazim. Jemi të përgatitur mirë, do japim maksimumin, të tregojmë veten në mënyrë të mirë dhe pastaj çdo skuadër e ka të vështirë për të ndejtur te fitorja”, tha Mërgim Mavraj, mbrojtës i Kombëtares. Kombëtarja e Shqiptare do të niset të enjten drejt Norvegjisë, ku dhe do të zhvillojë seancën e fundit stërvitore në orarin dhe stadiumin ku do të luhet ndeshja e vlefshme për eliminatoret e Botërorit 2014.

Priten pak tifozë norvegjezë për Shqipërinë
Nuk priten më shumë se 12 000 tifozë për të parë Shqipërinë në Norvegji të premten e 22 marsit. Vetëm 10 000 bileta janë shitur deri më tani për ndeshjen e botërorit të vitit 2014. Sipas Federatës Norvegjeze të Futbollit, më pak se gjysma e stadiumit kombëtar Uleval do të mbushet me spektatorë në orën 19:00 kur pritet të fillojë takimi. Shkak i interesimit jo maksimal nga ana e vendasve është në radhë të parë afrimi i Pashkëve, edhe pse në kalendarin zyrtar kjo festë fillon më 25 mars. Ndërkaq, në stadiumin ku do të luajë Shqipëria ka vetëm pak ditë që është larguar shtresa e dëborës dimërore, por fusha është në gjendje normale për të luajtur. Norvegjia është e dyta në grupin eliminator me 7 pikë, ndërsa Shqipëria mban vendin e tretë me 6 pikë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›