E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria sfidon të ftohtin dhe arbitrin, ëndërron Botërorin

Hamdi Salihi shënoi në minutën e 67-të një super gol

kombetarja-300x200Shqipëria ka marrë një fitore të jashtëzakonshme ndaj Norvegjisë në Oslo për eliminatoret e Kampionatit Botëror të futbollit. Fitorja erdhi pas një super goli të Hamdi Salihit. Skuadra e trajnerit Xhani De Biazi arriti ta përballojë shumë mirë ekipin vendas në çdo aspekt dhe mund të kishte shënuar më shumë se një gol. Ky sukses bëri që Shqipëria të ngjitej në kuotën e 9 pikëve në renditjen e grupit E, duke qenë në vendin e dytë, në pozita të barabarta me Islandën dhe duke lënë prapa Norvegjinë që ka 7 pikë.
Pjesa e parë
Në temperatura shumë të ulëta dhe në një fushë në gjendje të keqe, nisi përballja mes Norvegjisë dhe Shqipërisë për eliminatoret e Botërorit 2014 në Brazil. Kombëtarja shqiptare e nisi mirë ndeshjen, duke pasur në minutën e tretë një rast të mirë. Salihi kontrollon mirë topin me gjoks, por kthesa e tij nuk është e fortë sa duhet. Më pas situatën e marrin në dorë norvegjezët, që rrezikojnë me anë të Soderlund, që merr një pasim të mirë, por nuk arrin të finalizojë siç duhet. Më pas vjen një tjetër moment i artë për Shqipërinë në minutën e 26-të. Migjen Basha është përballë me portierin, ka hapësirën e nevojshme, por godet në mënyrë të gabuar. Mesfushori debutues kontrollon me gjoks një krosim nga e djathta e sulmit tone dhe godet fluturimthi, por topi përfundon jashtë. Kombëtarja shqiptare kontrollon mirë mesfushën, ndërsa duhet theksuar se ka një tifozeri të shumtë shqiptare në shkallët e stadiumit. Në minutën e 36-të, Norvegjia ka një shans shumë të mirë me anë të Elyounoussi, që godet topin në hyrje të zonës, por devijohet nga Dallku në goditje këndi, duke shpëtuar me shumë fat portën e kuqezinjve. Në minutën e 43-të vjen edhe kartoni i parë i verdhë i takimit për Odise Roshin, që ndërhyri ashpër ndaj Tom Hogli.
Pjesa e dytë
Në minutën e 54-të, Ervin Bulku kërkon 11-metërsh pas një kontakti në zonë me Riise, por arbitri vazhdon lojën. Ndërsa në minutën e 67-të Hamdi Salihi shënon një gol të shkëlqyer pas një goditje dënimi nga jashtë zone. E në këtë moment shpërthejnë sqhiptarët e pranishëm në stadium. Më pas norvegjezët rrezikojnë disa herë brenda zonës, por Berisha arrin të grushtojë, duke shpëtuar portën nga një gol i sigurt. Ndërsa në minutat e fundit, ashtu si gjithnjë Shqipëria përjeton disa minuta terrori, pasi dy minuta përpara mbylljes së kohës së rregullt, Andi Lila ndëshkohet me karton të kuq. Pas kartonit të kuq, De Biasi nxjerr nga loja Salihin dhe në vend të tij është Curri. Minutat e fundit janë plot emocione, pasi kombëtarja shqiptare ka mbetur me dhjetë lojtarë. Norvegjia bën presion, por nuk arrin të shënojë, pavarësisht rrëmujës brenda në zonën tonë disa herë. Pas katër minutash shtesë, arbitri fishkëllen dhe stadiumi i mbushur me shqiptarë shpërthen në festë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›