Cana, në garën për tu rikuperuar
Kapiteni i Sandërlendit, Lorik Cana, nuk pranon që të shihet si i pamundur për të luajtur në takimin e së shtunës kundër Bërnlit. Mesfushori shqiptar vazhdon periudhën e rikuperimit nga një problem në ije, ndërsa nuk luan që prej humbjes 3-0 të muajit të kaluar në fushën e Liverpulit. Sfida e fundjavës është mjaft e rëndësishme për “macet e zeza” në luftën për mbijetesë në Premiership dhe 26-vjeçari kërkon të japë kontributin e tij. “Ndihem më mirë në aspektin fizik”, deklaroi Cana. “Kisha pak dhimbje pas ndeshjes me Liverpulin dhe e kam shfrytëzuar këtë periudhë që të çlodhem dhe të rikuperohem. Natyrisht që nuk dua të rrezikoj, por shpresoj të jem në dispozicion të skuadrës për ndeshjet e fundit të sezonit. Jam në përkujdesjen e një stafi të jashtëzakonshëm mjekësor dhe bisedoj vazhdimisht me trajnerin Brus. Vetëm të premten (sot) do të mësoj më saktësisht nëse jam në gjendje të luaj kundër Bërnlit, në rast të kundërt, rikthimi im në fushë do të shtyhet për javën tjetër”.
#