E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reali i Madridit, asistencë për Akademinë e Apolonisë

Mbi pesë mijë të rinj do të ecin në gjurmët e yjeve të skuadrës “merengue”

Edhe pse skuadra e Apolonisë rrezikon rënien nga kategoria në këtë sezon futbollistik, e ardhmja e saj premton. Një nga klubet më të njohura në botë, Reali i Madridit, do të ndikojë në rritjen e cilësisë së futbollit fierak. Gjigantët spanjollë do të ndihmojnë me programe, teknikë deri dhe specialistë të fushës së futbollit klubin fierak. Ndërkohë, drejtuesit e fondacionit “Real”, i cili ka shtrirje në mbarë botën, kanë premtuar investime në ndërtimin e mbi 16 fushave të minifutbollit, vetëm për shkollat dhe të rinjtë e qytetit.

Shumë shpejt metodat sportive të Realit të Madridit do të jenë pjesë e futbollit fierak. Ky ishte premtimi që kryebashkiaku i Fierit, Baftjar Zeqaj, ka marrë nga krerët e klubit “merengue” gjatë vizitës disaditore në Spanjë, në fundjavën e kaluar, që do të bëhet realitet. Pas përfundimit të ambienteve të Akademisë Sportive, përfaqësuesit e bashkisë dhe të SK. Apolonia kishin shprehur angazhimin për të siguruar kushtet maksimale stërvitore për brezat e ardhshëm. Zeqaj, i cili ishte i vetmi përfaqësues zyrtar në këtë takim, është shprehur se kishte ardhur koha për këtë hap mjaft të rëndësishëm. “Pas përfundimit të shkollës, Akademisë Sportive, kishte ardhur koha të kërkonim dhe metodat që duhej të përdornim për të gjithë ata fëmijë që do të jenë pjesë e kësaj shkolle. Patëm një bashkëpunim dhe angazhim serioz dhe maksimal nga konsulli spanjoll në Tiranë dhe konsulli ynë në Madrid për të arritur deri te takimi ynë me klubin dhe fondacionin e Realit të Madridit”, deklaroi kryebashkiaku i Fierit. Ai është shprehur optimist rreth marrëveshjes së arritur, edhe sepse premtimet e përfaqësuesve të Realit dhe fondacionit ishin konkrete dhe të menjëhershme. Në fakt, puna konkrete pritet të nisë gjatë ditëve në vijim. “Përfaqësuesit e klubit të Realit të Madridit na premtuan se do të na mbështesin me programet e shkollës dhe me asistencë teknike, ndërsa fondacioni i Realit do të mbështesë masivizimin e sportit të futbollit në qytetin tonë, duke ndërtuar fusha futbolli në shkolla dhe lagje të qytetit, nga të cilat do të përfitojnë më shumë se pesë mijë fëmijë të moshave nga 10 deri në 18 vjeç”, theksoi Zeqaj. Surpriza e këndshme e vizitës në kryeqendrën iberike ishte takimi me yllin e futbollit spanjoll Emilio Butragenjo: “U takuam me shefen e protokollit të Realit dhe me drejtorin teknik, Emilio Butragenjo. Tashmë jemi në fazën e përpilimit zyrtar të kërkesave tona. Shpresojmë që kontributi të jetë i menjëhershëm”.

Aktualisht, Akademia e Apolonisë, e quajtur ndryshe Shkolla Sportive në Fier, do të trajnojë rreth 500–600 fëmijë të moshave 10–18 vjeç, të cilët do të dalin prej kësaj shkolle profesionistë të futbollit dhe do të jenë kontingjenti i sportistëve të ardhshëm të futbollit fierak, si dhe më gjerë.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›