Talenti kuqezi, Muzaqi firmos me Hanoverin
Prej disa muajsh është vënë nën vëzhgimin e ekipeve Kombëtare të moshave, por tashmë mund të cilësohet si një element i së ardhmes për Shqipërinë. Bëhet fjalë për Bajram Muzaqin, i cili ka firmosur me klubin e Bundesligës, Hanover, ku militon edhe mesfushori kuqezi, Altin Lala. Sulmuesi i krahut të majtë ka arritur marrëveshjen me gjermanët, duke hedhur firmën në kontratën 3-vjeçare. 18-vjeçari i lindur në Mitrovicë do t’i bashkohet skuadrës së re në korrik, kur do të nisin edhe përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Muzaqi është pjesë e Akademisë së klubit të njohur holandez, PSV Eind’hoven, ndërsa te Hanoveri, fillimisht ai do të aktivizohet me ekipin e dytë. “Kam zgjedhur Hanoverin, pasi ky klub më krijon mundësi të mëdha që të rritem si futbollist, pohoi talenti për kosovaren ‘Koha Ditore’. Ofertat nuk më kanë munguar nga klubet holandeze, por edhe nga skuadra në Belgjikë, Itali e Gjermani. Me transferimin te Hanover pres që shumë shpejt të më jepet rasti të debutoj në Bundesligë”.
Në janar të këtij viti, Bajram Muzaqi ka marrë pjesë në grumbullimin stërvitor që trajneri i U-19, Ramadan Shehu dhe ai i U-21, Artan Bushati, zhvilluan në Athinë, me talentet shqiptare që jetojnë dhe luajnë në Greqi. Paraqitja e sulmuesit nuk kaloi pa rënë në sy, madje shumë shpejt ai do të marrë një ftesë për të debutuar zyrtarisht me Shqipërinë. “Në janar isha në një kamp stërvitor të përfaqësueses U-19 të Shqipërisë, që u zhvillua në Athinë. Trajnerët e përfaqësueses u shprehën mjaft të kënaqur me paraqitjet e mia dhe më thanë se shumë shpejt do të më ftojnë për ndeshjet zyrtare. Ka gjasa të ftohem për U-19, apo ndoshta edhe për U-21”, përfundoi Muzaqi.
#