Ujkani te Novara dhe një sezon në Serinë B
Portieri i Kombëtares kuqezi, Samir Ujkani, duket se do të qëndrojë edhe për një sezon tjetër në radhët e skuadrës së Novarës, e cila po dominon Serinë C1 dhe është kandidatja më potenciale për t’u ngjitur në Serinë B në fund të këtij sezoni. Për momentin nuk ka asnjë vendim zyrtar, por një gjë të tillë ka lënë të nënkuptohet Gulielmo Miçike, zëvendëspresidenti i Palermos, klubit që zotëron kartonin e portierit të ri shqiptar. Në një prononcim për faqen sportive italiane në internet “Mediagol.it”, zëvendëspresidenti Miçike është shprehur se Palermo ka një traditë të mirë për sa u përket portierëve dhe këtu ka cituar edhe emrin e portierit të talentuar shqiptar, i cili është dhënë në formë huazimi te skuadra e Serisë C1, Novara në fillim të këtij sezoni. “Ujkani po përgatitet të luajë si protagonist me Novarën sezonin e ardhshëm në Serinë B”, është fjalia e shkëputur nga prononcimi i Miçikes, që duket se ka zbuluar kështu të ardhmen e portierit shqiptar.
#