E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndalohet Paro Laçi. Administratori i Partizanit akuzohet për pengmarrje

Arrestimi Shkoi bashkë me Ishkën në komisariat për të tërhequr denoncimin, por i vunë prangat

Ndalohet nga policia me akuzën e pengmarrjes administratori i përgjithshëm i klubit Partizan, Paro Laçi. Shkak për këtë është bërë konfrontimi i tij të mërkurën me futbollistin e të kuqve, Sokol Ishkën, i cili më pas e kishte paditur Laçi. Të dyja palët janë takuar me njëri-tjetrin dhe janë sqaruar personalisht. Prandaj, dje i janë drejtuar të dy së bashku Komisariatit Nr. 2 të kryeqytetit, me qëllimin që lojtari të tërhiqte padinë. Por, me të vënë këmbën në rajonin e policisë, ka ndodhur e papritura prej tyre. Autoritetet policore nuk kanë pranuar kërkesën për tërheqjen e padisë dhe kanë ndaluar në vend administratorin e përgjithshëm të Partizanit. Burime pranë këtij rajoni kanë saktësuar dje se Laçi është ndaluar, pasi mbi të rëndojnë katër akuza: “për heqjen e paligjshme të lirisë së tjetrit, kanosje me rrezik serioz për jetën, shkaktim i dëmtimeve të tjera dhe vetëgjyqësi”. Menjëherë pas këtij vendimi futbollisti i Partizanit është shprehur se padia e ngritur ndaj shefit të tij ishte në momente gjaknxehtësie dhe se ka sqaruar gjithçka me të. "është bërë një denoncim, por që unë kam ardhur ta tërheq atë denoncim, sepse çdo gjë mes meje dhe Paros është sqaruar. Mbase ka qenë një keqkuptim i momentit, një fjalë më shumë, tani, pasi kam sqaruar çdo gjë, jam më i qetë”, rrëfen vetë futbollisti i Partizanit, Sokol Ishka. Ndërkohë që ka ndërhyrë avokati i Paro Laçit, Ardian Grabova, i cili ka bërë të ditur se vendimi për të ndaluar klientin e tij është i jashtëligjshëm. "Mendoj që nuk është i drejtë ndalimi i zotit Laçi, sepse akuzohet për një pengmarrje, sepse ky ndalim duhej të kishte ndodhur në flagrancë. Në këtë rast nuk kemi flagrancë, nuk kemi pengmarrje, unë sipas gjykimit tim shikoj tendencë", nënvizoi avokati Grabova. Gjithçka e ka zanafillën nga shkëmbimi i akuzave mes palëve të mërkurën, kur Laçi akuzonte futbollistin se kishte tentuar të shiste ndeshjen e fundit kundër Elbasanit.

#

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›