Cana, prezantim si kapiten i “maceve të zeza” për ditëlindje
Lorik Cana do të prezantohet zyrtarisht si blerja e re e Sandërlendit, ditën e mërkurë, vetëm dy ditë pasi mesfushori shqiptar të mbushë 26 vjeç (më 27 korrik). Lajmin e dha trajneri i Sanderlendit, Stiv Brus, i cili duke folur për tri blerjet e reja të klubit tha për gazetën lokale “Sanderland Echo: “Frejzër erdhi sot (të hënën), Lorik Cana do të vijë të mërkurën, ndërkohë që Paolo do të marrë vizën në Meksikë dhe pritet të vijë në fundjavë”. Sandërlendi fitoi së fundi 2-0 miqësore me Atletikon e Madridit në turneun e Amsterdamit.
KAPITEN
Ish-kapiteni i Marsejës, lojtari që mban edhe rekordin e transferimit më të shtrenjtë të një futbollisti shqiptar në Europë, sipas lajmeve të fundit të medieve franceze, 8 milionë euro (ishte folur në fillim 6.5 milionë euro), do të të jetë edhe kapiteni i ri i “maceve të zeza”, siç është edhe nofka e klubit anglez të Premier Ligës. Loriku më parë ka qenë edhe kapiteni i Olimpikut të Marsejës, një arsye e fortë kjo për trajnerin Stiv Brus për t’i dhënë shiritin pas transferimit të ish-kapitenit të mëparshëm të Sandërlendit, te Stok Siti.
75 MIJË EURO
Shitja e Lorik Canës te Sandërlendi në Angli është në vlerën e 8 milionë eurove, po aq sa ato të Valbuenës dhe Sisesë, dhe jo 6 milionë euro saç është raportuar më parë në mediat ndërkombëtare. Lajmi jepet nga faqja franceze Football.fr. Sipas saj, nga shitjet në total gjatë kësaj merkatoje vere Olimpiku i Marsejës ka përfituar 38 milionë euro. Një lehtësim tjetër janë dhe pagat e këtyre lojtarëve, pasi në total ato arrinin 20.5 milionë euro (Cana përfitonte në vit 2.3 milionë euro te Marseja). Loriku, kapiteni i ri i Sanderlendit, do të përfitojë te klubi anglez 2.5 milionë euro në vit, ose 75 mijë euro në javë.
DEBUTIMI
Lorik Cana do ta nisë aventurën e parë të tij me klubin e tretë të tij në karrierën e tij sportive me miqësoren kundër skocezëve të Sëlltikut, më 1 gusht, për ta vazhduar më pas me Peterboruh, të martën, më 4 gusht dhe Herts, më 8 gusht. Sipas trajnerit Brus, këto ndeshje miqësore do t’i shërbejnë atij për të testuar tri blerjet e reja, sulmuesin Frajezer Kempbell të ardhur nga Mançester Junaitid, mbrojtësit paraguaian Paolo Da Silva të ardhur nga klubi meksikan Toluka dhe mesfushorit shqiptar Lorik Cana të ardhur nga francezët e Olimpikut të Marsejës.
1 trofe
Lorik Cana ka fituar vetëm një trofe gjatë karrierës së tij futbollistike, pikërisht Kupën e Francës të fituar me Paris Sën Zhermenin në vitin 2004.
31 ndeshje
Mesfushori shkatërrues numëron 31 ndeshje me përfaqësuesen shqiptare, për të cilën luan që nga mosha 19 vjeç. Cana ka shënuar vetëm një gol.
3 ekipe
Loriku ka veshur fanellat e tre ekipeve si lojtar profesionist, dy në Francë, ato të Paris Sën Zhermenit e Olimpikut të Marsejës, dhe Sandërlendit në Angli.
28 Korrik 2009