Dëmtohet Lala, “xhuxhi” humbet Arsenalin
Tjetër dëmtim për Altin Lalën. Mesfushori shqiptar i Hanover 96 do të qëndrojë pushim për dy javë, pas dëmtimit të tij në miqësoren e humbur 2-1 kundër Vismarit. Sipas trajnerit Diter Heking, behet fjalë për një tërheqje muskulore. “Çfarë dreq fati për ‘xhuxhin luftarak, që pas operacionit të tij në hernien fiskale ishte rikthyer sërish në fushë”, - shkruan uebsajti gjerman Bild.de. Lala do të mungojë në miqësoren kundër 13-herë kampionëve të Anglisë, Arsenalit, të programuar për të mërkurën e ardhshme, më 29 korrik. Sipas faqes gjermane Lvz-online.de, Lala do të humbasë edhe ndeshjen e Kupës së Gjermanisë kundër Trier, por dhe takimin kundër Hertës së Berlinit, më 8 gusht.
RAMA
Lala do ta ndjekë nga tribuna, ndërkohë që Valdet Rama do të jetë shqiptari i vetëm në fushë në miqësoren e luksit kundër 13-herë kampionëve të Anglisë, Arsenalit, takim i programuar për ditën e mërkurë, më 29 korrik në “AËD-Arena”. Një mundësi e mirë për mesfushorin e talentuar Rama në sytë e Arsen Vengerit, të njohur si “gjahtar” i lojtarëve të rinj e me të ardhme. Të shtunën, Lala dhe Rama ishin pjesë e Hanover 96 në testin e humbur 2-1 me skuadrën amatore të FC Anker Vismar. Kapiteni i Shqipërisë e nisi takimin si titullar (u zëvendësua në minutën e 70-të nga Bolugun). Edhe Valdet Rama luajti nga minuta e para, por mesfushori i talentuar u zëvendësua me fillimin e pjesës së dytë. Rama ka pasur disa raste shënimi.
SUKAJ
Sulmuesi shkodran Xhevair Sukaj mund të transferohet të Hansa Rostok në Bundesligën 2 gjermane. Lajmi jepet nga menaxheri i njohur Rudi Vata. Sukaj, i cili ka dhe një eksperiencë në Turqi me Gençlerbiligi, do të testohet më 4-6 gusht, dhe nëse kalon provën do të firmosë për skuadrën e njohur gjermanolindore.
KASTRATI
Dinamo e Drezdenit, klubi gjerman i Ligës së 3-të gjermane (kategori profesioniste), e konsideron sulmuesin Bekim Kastrati si një afrim të ri. Lajmi u dha nga uebsajti i gazetës “Bild”. Sulmuesi 30-vjeçar i ka bindur drejtuesit e Dinamos, të cilët parimisht i kanë plotësuar edhe kërkesat e tij financiare. Zëdhënësi i klubit, Peter Tauber tha: “Duket qartë që ai është i dobishëm për ne. Bisedimet janë në rrugë të mbarë”. Në sezonin 2008-2009, Kastrati luajti për Fortuna Dyseldorf, duke shënuar 5 gola në 37 paraqitje.
Bogdani kënaq trajnerin Di Karlo
Erjon Bogdani bëri një paraqitje të pëlqyeshme me Kievon në trofeun e parë “Banca Popolare”, të fituar nga Atalanta nga seria e penalltive pas barazimit 1-1 në lojë. Gazeta veroneze “L’Arena” shkruan se loja e Bogdanit ishte shumë bindëse dhe “gjiganti shqiptar” devijoi disa topa të bukur për sulmuesin tjetër De Paola. Bogdani ishte pjesë e formacionit të pjesës së parë të Kievos dhe la përshtypje të mirë te trajneri Di Karlo. Të dy golat e takimit u shënuan në pjesën e dytë. Mbrojtësi Andi Çorri, i formuar në ekipet e moshave të Milanit në Itali dhe lojtar i përfaqësueses U-19 shqiptare, është blerja e re e Grosetos në Serinë B italiane. Lajmi u dha nga menaxheri i futbollistit, agjenti i FIFA-s, Sokol Haxhia. Shkodrani vlerësohet për lojën e tij, por te Milani nuk ka gjetur shumë hapësirë, dhe kalimi te Groseto konsiderohet si një zgjidhje për të fituar më shumë eksperiencë.
FITON BOLONJA
Bolonja e presidentit shqiptar Rezart Taçi fitoi 2-1 miqësoren me Sportul Bukeresht, që militon në kategorinë e dytë rumune. Për kuqeblutë italianë të Serisë A shënuan Di Vaio dhe Lung, por ky i fundit shënoi një autogol në favor të Bolonjës.
Superliga “luan” në merkato
Ekipet e Kategorisë Superiore janë në muajin e fundit të merkatos shqiptare të futbollit, duke hyrë kështu në një fazë vendimtare përpara nisjes së kampionatit të 71-të Kombëtar të futbollit, më
23 gusht.
BESA
Kavajasit janë një nga skuadrat më aktive në merkaton e verës. Nëntë futbollistë të rinj kanë nënshkruar për skuadrën e presidentit Nexhat Bizhdili: Babaj, Babamusta, Shehi, Fagu, Dragusha, Dhembi, Poçi, Kaçiu e Hasalla. Besa për sezonin e ri 2009-2010 do të drejtohet nga trajneri i njohur Shpëtim Duro. Aktualisht verdhezinjtë po kryejnë fazën përgatitore në Mavrovë të Maqedonisë.
VLLAZNIA
Mesfushori Enkel Alikaj është bashkuar me Vllazninë. 28-vjeçari, i cili më parë ka luajtur edhe me Dinamon, Partizanin, Besën e Teutën, do të firmosë një kontratë 1-vjeçare me nënkampionët e Shqipërisë. Nga Vllaznia përfundimisht janë larguar dy brazilianët Karlos Salis dhe Luis Garcia de Oliveira, pasi këta nuk u pëlqyen nga tekniku Hasan Lika.
DINAMO
Serbi Ljuba Baranin nuk ka mundur të bindë trajnerin e Dinamos, Shkëlqim Muça, duke u rikthyer në vendin e tij. Më parë edhe serbi tjetër, Barac, nuk kishte lënë përshtypje të mira te Dinamon. 17-herë kampionët e Shqipërisë u nisën drejt Mavrovës së Maqedonisë dhe me ta është edhe ardhja e fundit, argjentinasi 22-vjeçar Nikolas del Monte, i mbërritur nga Indipidente. Gjatë këtyre javëve të merkatos Dinamon ka rekrutuar Putinçanin, Sozën, Malarkanen, Vrapin, G.Muçën, Kulin e Xhafën.
SHKUMBINI
Alban Bizhyti dhe Ylli Shameti i dhanë fund aventurës së tyre me Shkumbinin. Si mesfushori lushnjar ashtu dhe mbrojtësi gjirokastrite nuk ranë dakord nga ana financiare me klubi peqinas. Shkumbini është duke zhvilluar fazën përgatitore në Strugë të Maqedonisë. Nga afrimet te skuadra e Gugash Maganit janë portieri Bejte, Gjyla, Koreshi, Xhafa e Bakiu.
Miqësorja, Gramozi barazon me Karamanin
Gramozi i Ersekës, skuadra debutuese në Superligë (2009-2010) barazoi pa gola në miqësore me Karamanin (Liga Rajonale e Maqedonisë), në takimin e zhvilluar në Strugë të Maqedonisë, atje dhe ku skuadra kolonjare po kryen fazën përgatitore. Në takimin e parë miqësor, Gramozi fitoi 3-0 kundër Vllaznimit të Tetovës. Apolonia fitoi edhe takimin e dytë miqësor, kësaj radhe kundër Sjenicës me rezultatin e pastër 2-0. Golat për formacion fierak të drejtuar nga Esad Karishik u realizuan nga Sead Haxhibuliç (63’) dhe Arbër Dhrami (84’). Në takimin e parë Apolonia fitoi 3-2 kundër Jezores së Plavës. Golat për Apoloninë u shënuan nga Ragipoviç, Meta dhe Saimir Haxhibuliç. Apolonia po kryen fazën përgatitore Peshter të Serbisë.
28 Korrik 2009