Cana, prezantimi të mërkurën
Tashmë është e sigurt: Lorik Cana sezonin e ardhshëm do të luajë në Premier League në radhën e ekipit të Sanderlendit. Por për momentin mungon firma në kontratën 4-vjeçare që do ta lidhë atë me klubin anglez për katër vitet e ardhshme, ku pritet të përfitojë një shumë prej 2.5 milionë eurosh në sezon. E reja më e fundit ka të bëjë me shtyrjen e ditës së prezantimit të mesfushorit shqiptar në klubin e tij të ri. Menjëherë pasi është mësuar të premten e kaluar se, Cana ka pranuar të kalojë te Sanderlendi, u përfol se të hënën lojtari do të paraqitej në ekipin e tij të ri. Por në fakt nuk ka ndodhur kështu. Për arsye që ende nuk janë sqaruar, por që me siguri nuk kanë të bëjnë me ndonjë problem, i cili mund të ndikojnë në ndryshimin e marrëveshjes, një gjë e tillë është shtyrë. Informacionet e njohura për momentin theksojnë se vonesa është thjesht e karakterit administrativ. Sipas mediave franceze, por edhe atyre angleze, data e prezantimit të Canës te Sanderlendi do të jetë 29 korriku (të mërkurën). Ish-shokët e tij tek Olimpiku i Marsejës kanë rinisur dje pasdite stërvitjen dhe për habi të të gjithëve ekipit i është bashkuar dhe ish-kapiteni shqiptar i tyre. Pas faktit se ai është zyrtarisht lojtar i Sanderlendit, kolegët e Marsejës janë befasuar nga prezenca e Canës në seancën stërvitore të zhvilluar në "Commanderie". Shqiptari pritet të udhëtojë të mërkurën drejt Anglisë, por ajo që ka çuditur Marsejën, ishte kërkesa e ish-kapitenit për të vazhduar të stërvitet deri atëherë me Marsejën, pasi nuk dëshiron të humbasë formën e tij fizike. Ndërkohë që te Sanderlendi janë të gjithë të paduruar për ardhjen e kapitenit të ri. Një ndër më të interesuarit, i cili mezi po e pret këtë moment, është pikërisht trajneri i "Maceve të Zeza" të Premier League, Stiv Brus. Tekniku i Sanderlendit është një admirues i madh i lojës së mesfushorit shqiptar dhe prandaj ai ka qenë edhe këmbëngulësi më i madh për të pasur atë në radhët e ekipit të tij. Arritja e marrëveshjes mes Marsejës dhe klubit anglez, e ka gëzuar pa masë teknikun, i cili i ka besuar shqiptarit edhe shiritin e kapitenit të "Maceve të Zeza". "Cana do të jetë kapiteni i ardhshëm", ka ritheksuar edhe dje Brus, i cili më pas ka shtuar: Është një lojtar shumë potent, ka qenë një fitues përgjatë gjithë jetës së tij dhe jam i sigurt që është i përshtatshëm për Premier Leaguen". Për të marrë Canën, Sanderlendit iu desh të paguante 5.8 milionë euro (5 milionë paund).