E Diel, 1 Nëntor 2026

Sinani-Grima, Vllaznia heq gjobat

Vioresin Sinani dhe Armir Grima kanë fituar "mundjen e krahut" me Vllazninë. Dy lojtarët janë siguruar nga presidenti Valter Fushaj se nuk do të gjobiten për kartonët e kuq të marrë në takimet e Europa League, kundër irlandezëve të Sligo Roveres. Pas eliminimit nga kupat e Europës, drejtuesi i klubit shkodran kishte deklaruar me shumë bujë se veprimet e dy futbollistëve "veteranë" nuk do të kalonin pa u ndëshkuar. Fillimisht ai kishte lënë të nënkuptohej gjobitjen me 10 milionë lekë të vjetra për secilin lojtar. Por, me kalimin e ditëve shifra është ulur, duke pohuar se Sinani dhe Grima do të gjobiteshin me vlerën e një rroge mujore, të parashikuar në kontratë. Në anën tjetër, lojtarët nuk i kanë pritur mirë deklaruarat e Fushajt, madje kanë kërcënuar edhe se do të largoheshin nga kuqeblutë, ndërsa ndaj tyre ndërmerrej çfarëdo mase financiare. Tensioni i krijuar i detyroi palët që të ulën në tryezën e bisedimeve, për të sheshuar kontradiktat. Edhe pse në media drejtuesi më i lartë i klubit vazhdon të flasë për gjoba, në takimin kokë më kokë me futbollistët, ai i ka siguruar se "portofoli" nuk do t‘u preket. "Edhe pse vazhdon të flasë për gjoba ndaj dy lojtarëve, presidenti Fushaj nuk do të marrë asnjë masë", pohuan burime pranë skuadrës. "Në një farë mënyrë ai i cilëson Sinanin dhe Grimën shkaktarë të paraqitjes jo të mirë të Vllaznisë, pasi mungesat e tyre ndikuan në humbjet e thella me Rapidin e Vjenës. Gjithsesi, në takimin që zhvilloi me lojtarët, ai i siguroi se nuk do të ketë gjoba. Kjo edhe sepse futbollistët kërcënuan se do të largoheshin në rast ndëshkimesh".

"Nëse vendos të na gjobisësh, atëherë na jep letrat edhe ne largohemi", mësohen të kenë qenë fjalët e dy prej pikave më të forta të skuadrës së Hasan Likës. Lojtarët i kanë bërë të qartë presidentit se pavarësisht faktit që kanë kontrata, ata nuk janë paguar për sezonin e ri dhe në këtë mënyrë klubi nuk ka të drejtë t‘i penalizojë financiarisht. Për të evituar probleme të mëtejshme dhe duke tentuar të ruajë sa më shumë kontingjentin aktual (largimi i Elvin Beqirit jashtë vendit mund të pasohet edhe nga të tjerë), Fushaj ka vendosur se ndoshta është më mirë të mbyllë njërin sy.

Ndërkohë, klubi vazhdon të jetë mjaft aktiv në merkato. Pas Enkel Alikajt, blerja e radhës pritet të jetë ish-lojtari i Besës, Zekeria Ramadani. Mbrojtësi shqiptaro-maqedonas cilësohet si pasardhësi i Elvin Beqirit, që në harkun e pak orëve pritet të firmosë me US Bulonjë në Ligën 1 franceze. Në vitin 2007, Ramadani shihej nga ish-trajneri i Kombëtares, Oto Bariç, si një alternativë e vlefshme për kuqezinjtë, ndërsa gjatë sezonit të kaluar ai u aktivizua me Arabak në Azerbajxhan, përkrah Admir Telit dhe Artim Shaqirit. Shkodranët tentuan të afrojnë edhe kapitenin e Dinamos, Arjan Pisha. Megjithatë, mbrojtësi preferoi të mos largohej nga kryeqyteti: ai refuzoi ofertën e Vllaznisë dhe udhëtoi së bashku me blutë në fazën përgatitore në Maqedoni.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›