Cana promovon Lacion: Ndaj Gallatasarait luajtëm mirë
Deklarata
Shtypi italian i ditës së djeshme ishte kritik ndaj formës së shqiptarit
Lorik Cana u kthye në Turqi pas një viti dhe me Lacion e tij përballej si një ish me Gallatasarain. Trajneri Petkoviç e kishte vënë përpara mbrojtjes në çift me Ledezma. Shqiptari ka përgëzuar skuadrën laciale, edhe pse ajo u mund 1-0. E rëndësishme tashmë është të flasim për Lacion, jo për rikthimin tim këtu, u shpreh Cana pas ndeshjes miqësore. Ishte ndeshja e parë për të shikuar se në cilën pikë jemi, kemi luajtur një ndeshje të mirë kundër një kundërshtari të nivelit të lartë. Cana ka pranuar se diçka nuk ka funksionuar në 20 minutat e para: Fillimi ka qenë i vështirë, por më pas u futëm në lojën tonë, e kontrolluam mirë ndeshjen, duke krijuar raste të mira. Për fat të keq, na mungoi goli për të arritur barazimin. Në Smirne u shënua edhe humbja e tretë e Lacios, pas dy të parave ndaj Sienës dhe Torinos, por kjo ka pasur një shije krejtësisht ndryshe. Lacio diti të reagonte, nuk u çorientua nga aksionet e shpejta të turqve, u rikthye ngadalë në ndeshje dhe mund të kishte merituar barazimin. Ka ende kohë për të gjetur momentin ideal dhe për të deshifruar lojën e kërkuar nga Petkoviç, që kërkon të sulmojë dhe të fitojë topin me kurajë në mesfushën kundërshtare. Humbëm, por mbetëm të kënaqur nga kjo miqësore. Do të duhet të rikuperohemi fizikisht, kemi kohë në dispozicion për tu përmirësuar. Po rigjejmë besimin. Në këtë ndeshje ishte e rëndësishme të tregonim mentalitet të fortë dhe këtë e bëmë. Sa më shumë të ecim përpara, më mirë do të jetë, ka nënvizuar Cana, i bindur se muaji gusht do ti mundësojë teknikut të ri dhe grupit të shfaqet në formën më të mirë për fillimin e kampionatit: Është e njëjta Lacio e sezonit të kaluar, kemi ndryshuar modulin, por gjejmë pozicionet e duhura. Do të duhet të përmirësohemi në situatat defensive, sepse kemi pësuar gola të evitueshëm.
Problemet
Është e njëjta Lacio e sezonit të kaluar, kemi ndryshuar modulin. Do të duhet të përmirësohemi në situatat defensive, sepse kemi pësuar gola të evitueshëm
Cana promovon Lacion: Ndaj Gallatasarait luajtëm mirë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip