Trajneri Shaqiri: Rezultatet në Londër 2012 ishin zhgënjyese
Specialisti thekson se peshëngritja nuk mori maksimumin e saj
Altin Manallari
Dështimi i Shqipërisë në lojërat olimpike Londër 2012 la një shije të hidhur. Por zhgënjimi më i madh ishte pikërisht në sportin, ku përfaqësoheshim më shumë, peshëngritja, ku garonin katër pjesëtarë të ekipit tonë olimpik. Rezultatet e arritura ishin zhgënjyese dhe kjo duket se ka ngacmuar plagët e vjetra. Për të analizuar paraqitjen e katër peshëngritësve tanë, mendon trajneri i njohur i peshëngritjes, Hektor Shaqiri, prej 40 vjetësh, i përkushtuar në këtë sport, me një kontribut të jashtëzakonshëm, që ka stërvitur e drejtuar në gara shumicën e shtangistëve të ekipit kombëtar, nga Pirro Dhima, Ilir Suli, Ilir Kafarani, Romela Begaj te Daniel Godelli. Vetëm pas vitit 2000, ka drejtuar dy sportistë, që janë afruar në zonën e medaljeve në Olimpiadë, siç ishte rasti i Ilir Sulit, me vendin e pestë në botë, në vitin 2000 dhe Romela Begajt në vendin e 6-të në Olimpiadën e Pekinit 2008. Për sa i përket olimpiadës Londër 2012, si specialist i fushës, Shaqiri, i ka quajtur të ulëta rezultatet e peshëngritjes sonë, duke e vënë gishtin mbi një plagë, e cila prodhoi shumë polemika edhe para nisjes për në evenimentin ndërkombëtar më të rëndësishëm sportiv të vitit. Rezultatet e peshëngritësve tanë pjesëmarrës në Londër 2012 ishin jo të nivelit tonë normal, theksoi ai. Mendoj se këtu ka ndikuar jo pak fakti që peshëngritësit shkuan atje pa trajnerët e tyre, por me trajnerë të tjerë. Në fakt, vetë Shaqiri ka qenë deri para pak kohësh trajneri i Romela Begajt, që tashmë stërvitet nga i shoqi. Trajneri i njohur nuk dëshiron të polemizojë, ndaj shton se nuk ka asgjë kundër trajnerit aktual të peshëngritëses, por ai çdo gjë e lidh me sportistët e tij, duke thënë se eksperienca ka treguar se sportisti jep rezultatet maksimale në garë kur ka pranë trajnerin e tij, pasi vetëm ai i di sekretet e garës, avantazhet dhe disavantazhet e sportistit dhe mbi të gjitha, gjendjen e tij psikologjike e morale, aq të rëndësishme në një aktivitet madhor si Botërori, por edhe strategjitë që duhen aplikuar gjatë garës. Ish-trajneri i Romela Begajt apo Daniel Godellit dhe më parë i Pirro Dhimës, Ilir Sulit e Ilir Kafaranit ndihet i mënjanuar nga Federata, e cila, sipas tij, ka ushtruar presion ndaj sportistes, që ajo të mos vazhdonte më nën drejtimin e Shaqirit. Kjo për faktin se ish-tekniku Begajt ka qenë një nga zërat më kritikë kundrejt federatës, në mbështetje të sportistëve. Ndaj ai e konsideron të padrejtë dhe pohon se Romela, vetëm për faktin se nuk kishte trajnerin e saj, ka humbur të paktën 40 milionë lekë. Ndaj ai pohon me forcë se dështimi i peshëngritjes në Londër 2012 ka ardhur për faj të FSHF-së: Nëse do të ishin zbatuar këto standarde, me shumë gjasa, do të ishim shumë më pranë një medaljeje olimpike në shtangë. Shaqiri ngre gishtin kundër federatës ,edhe për rastin e Erkand Qerimaj. Sipas tij, analizat e anti-dopingut kishin ardhur prej kohësh në federatë, por FSHF-ja i mbajti të fshira përfundoi trajneri Hektor Shaqiri.
Specialisti
Analiza
Shaqiri, që ka stërvitur shumicën e shtangistëve të Kombëtares, Pirro Dhima, Ilir Suli, Ilir Kafarani, Romela Begajn, Daniel Godellin, analizon rezultatet e olimpiadës Londër 2012
Arsyet
Sportisti jep rezultatet maksimale në garë kur ka pranë trajnerin tij, pasi vetëm ai i di sekretet e garës, strategjitë, avantazhet dhe disavantazhet e sportistit
Akuza FSHF-së
FSHP-ja ushtroi presion ndaj Romela Begajt, që ajo të mos punonte më me mua, sepse gjatë kohëve të fundit kam qenë kritik ndaj federatës në mbështetje të sportistëve
Trajneri Shaqiri: Rezultatet në Londër 2012 ishin zhgënjyese burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip