Cana, shqiptari i vetëm që mund të luajë në grupet e Europa League
Pesë lojtarë shqiptarë kanë arritur të kualifikohen në fazën “play-off” të Europa League. Lorik Cana me Gallatasarain, Hamdi Salihi me Rapidin e Vjenës, Kristi Vangjeli me Arisin e Selanikut dhe dyshja e azerbajxhanasve të Karabak, Ansi Agolli e Admir Teli kanë regjistruar ecuri të kënaqshme në fillim të këtij edicioni, në kupat e Europës. Megjithatë, numri i atyre që do të luajnë në fazën e grupeve të aktivitetit të dytë për nga rëndësia në kontinent pritet të reduktohet në mënyrë të dukshme. Në fakt, pas shortit të hedhur dje në Nion të Zvicrës, të paktën në letër duket se vetëm Cana ka shanse të mira për të luajtur në Europa League gjatë sezonit të ri. Skuadrës së zv.kapitenit të Kombëtares shqiptare i kanë buzëqeshur goglat, pasi kundërshtari i Gallatasarait do të jetë ukrainasja Karpati Lviv. Pasi ka fituar Ligën e Parë në sezonin 2004/’05, prej gjysmë dekade ata janë një skuadër që renditet në mesin e klasifikimit, ndërsa e mbylli kampionatin e kaluar në vendin e pestë. Edhe pse ka një kontingjent shumë të gjerë lojtarësh (plot 40 futbollistë në pronësi), Karpati ka pak lojtarë të huaj, ku natyrisht spikasin dy serbë dhe tre brazilianë. Prej diferencës në kualitetin e skuadrave, Gallatasarai i Frenk Rajkard niset favor dhe nuk e vë në dyshim kualifikimin.
Në anën tjetër, shorti nuk ka qenë aspak bujar me tri skuadrat e katër futbollistëve të tjerë shqiptarë që militojnë në Europa League. Mes 74 skuadrave që ndodheshin në short, Rapidi i Vjenës, ku aktivizohet sulmuesi Hamdi Salihi ka “peshkuar” për të dytin vit radhazi Aston Vilën. Këto dy skuadra janë përballur në “play-off” edhe gjatë edicionit të kaluar, ndërsa ishin austriakët ata që festuan kalimin në fazën e grupeve. Pasi i mposhtën britanikët me rezultatin 1-0 në Austri, vjenezët humbën 2-1 në fushën kundërshtare dhe u kualifikuan falë golit në fushën kundërshtare. Gjithsesi, skuadra e drejtuar nga Martin O’Nill ka ndryshuar shumë në krahasim me verën e kaluar, madje ata ishin surpriza e Premier League në sezonin 2009–2010, duke e mbyllur kampionatin në vendin e gjashtë.
Arisi i Kristi Vangjelit do të përballet me Austrinë e Vjenës, në një sfidë mjaft delikate. Skuadra nga Selaniku ka shansin të luajë në fazën e grupeve të Europa League pas tri sezoneve mungesë: në edicionin 2007–2008 ata luanin në Kupën UEFA (Në Grupin F me serbët e Cerzena Zvezdës, anglezët e Bolton, portugezët e Bragës dhe gjermanët e Bajernit të Mynihut). Megjithatë, skuadrën e drejtuar nga Hektor Raul Kuper e pret një mision i vështirë përballë austriakëve. Së fundmi vjen Karabaku, skuadra ku aktivizohen dy mbrojtësit Ansi Agolli dhe Admir Teli. Shorti i ka vendosur azerbajxhanasit përballë Borusias së Dortmundit, fituese e Champions League në vitin 1997. Edhe pse përballja me gjermanët mund të cilësohet një sfidë luksi, Karabak duket se nuk ka asnjë shans për të vazhduar aventurën europiane, pasi mposhti në mënyrë surprizë Visla Krakovën, duke u kualifikuar për të dytin vit radhazi në “play-off”.
Në ndeshjet e tjera të Europa League, Mançester Siti i milionave do të luajë me rumunët e Timishoaras, ndërsa Liverpulin e pret testi me turqit e Trabzonspor. Juventusi, tri herë fitues i këtij trofeu, përballet me austriakët e Shturmit të Gracit, Porto ndeshet me belgët e KRC Genk, ndërsa PSV Eind’hoven do të ketë një udhëtim të gjatë për t’u ndeshur me rusët e Sibir Novosibirsk, e cila luan për herë të parë në Europë. Steaua e Bukureshtit do të ketë përballë Grasshoperin, ndërsa holandezët e Fejnordit matin forcat me fqinjët e KAA Gent. Pasi eliminuan Olimpiakosin, izraelitët e Makabi Tel-Aviv tashmë do të kenë përballë francezët e PSG-së. Ndeshjet e para luhen më 19 gusht, ndërsa sfidat e kthimit një javë më vonë. 37 fitueset e sfidave “play-off” do t’u shtohen kampionëve në fuqi të Atletikos së Madridit dhe 10 skuadrave të eliminuara në “play-off” të Champions-it, për të luajtur në fazën e grupeve, që starton më 16 shtator.
#