E Diel, 1 Nëntor 2026

Dardan Berisha shkëlqen me Poloninë

Varshavë, 7 gusht - Fundori kosovar, Dardan Berisha (192 centimetra) ka shkëlqyer me Përfaqësuesen e Polonisë në basketboll, të enjten mbrëma. Berisha shënoi 12 pikë për 14 minuta, ndërsa Polonia triumfoi në ndeshjen e dytë eliminatore për Evropianin 2011 ndaj Portugalisë me rezultatin 86:64.
Berisha 21-vjeçar të gjitha pikët i shënoi nga tentimet për tre pikë. Ai realizoi katër prej pesë gjuajtjeve jashtë vijës 6.25 metra. Po ashtu, pati edhe dy kërcime. Shënuesi më i mirë në radhët e polakëve ishte qendra e Orlandos, Marcin Gortat, me 19 pikë e 11 kërcime. Pos tij, vetëm edhe dy lojtarë ishin më efikas se sa Berisha.
Me Përfaqësuesen e Polonisë Dardani ka debutuar këtë vit. Ai luajti edhe në ndeshjen e parë eliminatore të Evropianit 2011, që Polonia e humbi nga Gjeorgjia me rezultatin 84:65. Berisha në atë ndeshje shënoi 2 pikë për 19 minuta lojë. Polonia garon në Grupin C të Divizionit A të eliminatoreve për Evropian. Në këtë grup garojnë edhe Portugalia, Gjeorgjia, Bullgaria dhe Belgjika.
Polonia ndeshjen e radhës e zhvillon të dielën kundër Bullgarisë, kurse pas dy ndeshjeve të para zë pozitën e dytë me tri pikë të mbledhura.
Berisha stinorin e fundit shkëlqeu në elitën e basketbollit polak duke luajtur për skuadrën Polonia 2011 me një mesatare prej 16 pikëve e 3.3 asistimeve për ndeshje. Ai këtë verë u transferua në radhët e skuadrës nënkampione të Polonisë, Anwil.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›