E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rijkaard përgëzon lojën e Canës

Trajneri holandez i Galatasarayt, Frank Rijkaard ka vlerësuar mesfushorin kosovar Lorik Cana si faktor të rëndësishëm në fitoren e thellë që shënoi Galatasaray të enjten në ndeshjen e kthimit të raundit të tretë eliminator të Ligës së Evropës ndaj OFK Beogradit. Galatasray triumfoi në Beograd me rezultatin 5:1, ndërsa ndeshja e parë në Stamboll qe mbyllur baras 2:2.
"Cana përgjatë 90 minutave ka qenë faktor i madh. Me rëndësi ka qenë që kemi fituar këtë ndeshje dhe të shohim tash sfidat e radhës", ka thënë Rijkaard për gazetën turke "Milliyet". Galatasaray i Canës në raundin e fundit eliminator të Ligës së Evropës, atë të "play-offit", do të takohet me skuadrën ukrainase Karpaty. Ndërkohë, sfidë dukshëm më e vështirë e pret skuadrën azerbajxhanase Qarabag ku luan mesfushori shqiptar Ansi Agolli. Qarabag do të përballet me skuadrën gjermane Borussia Dortmund. Dundee United i Andis Shalës në rrethin e "play-offit" të Ligës së Evropës do të ndeshet me AEK-un e Greqisë, kurse Rapidi i Vjenës i Hamdi Salihit dhe Atdhe Nuhiut do të ndeshet me skuadrën e njohur angleze, Aston Villa.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›