E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, sinjale Hanit: Luaj mesfushor

 

Lorik Cana e bën mjaft mirë edhe rolin e qendërmbrojtësit, sidomos kur luan me Kombëtaren, por dje në një intervistë të dhënë për mediat franceze, kapiteni i Marsejës ka thënë hapur se dëshiron të luajë në mesfushë, pasi aty mund të japë më të mirën. “U bënë disa ndeshje që unë luaj si qendërmbrojtës dhe megjithëse kam dhënë më të mirën time, ende duhet të përmirësohem në këtë rol. Unë jam i gatshëm në çdo moment që të luaj atje ku më kërkon trajneri, por padyshim që në mesfushë ndihem më mirë dhe arrij të jap më të mirën time”, ka thënë 25-vjeçari për “leJDD.fr”. Ai ka pohuar se Marseja i është larguar edhe më shumë objektivit të saj kryesor, që është titulli kampion i Francës. “Humbja me Lorientin ishte një gabim i madh për ne, pasi i dhamë mundësi Lionit që të shkëputej edhe më shumë. Lioni është një ekip i vështirë për t’u parakaluar, aq më tepër kur krijon diferenca me ndjekësit. Megjithatë, kemi mundësi të rikuperojmë, sepse kampionati është ende i gjatë”, është shprehur futbollisti. Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka përsëritur edhe njëherë se dëshiron të largohet në fund të sezonit nga Marseja, por ka premtuar se nuk do të shkojë në asnjë klub tjetër francez.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›