Skela tremb Bajernin,por Kotbusi reziston 4’
Jetmir Halilaj
Mesfushori i përfaqësueses shqiptare ka dhuruar spektakël dje në stadiumin “Allianz Arena”, kundër Bajernit të Myniht, pasi ka ndëshkuar vendësit bavarezë me një eurogol nga 25 metra. Megjithatë, goli i tij nuk bëri gjë tjetër veçse zgjoi “dragoin” që flinte, pasi ekipi i Klinsmanit u kundërpërgjigj me katër gola ndaj perlës së Ervin Skelës, duke shkatërruar 4-1 ekipin e Energi Kotbusit.
Ndeshja
Fantazisti kuqezi ishte thuajse në hije gjatë minutave të para, pasi e gjithë skuadra e tij vuajti dominimin total të Bajernit. Megjithatë, ishte vlonjati që në minutën e 25-të të takimit ekzekutoi në mënyrë perfekte një goditje dënimi, të ngjashme me ato të Pirlos, duke shtangur portierin e Bajernit të Mynihut. Kotbusi i tij kaloi krejt papritur në avantazh, zgjati vetëm katër minuta, sepse Riberi barazoi shifrat gjithashtu, me një goditje perfekte dënimi. Që nga ky moment dominon vetëm skuadra e Klinsmanit dhe Skela & Co, e kanë të vështirë të bëjnë më shumë. Golat e tjerë u shënuan nga Demikelis, Klose dhe Toni, të cilët thelluan edhe më shumë krizën që po kalon ekipi i Energi Kotbusit. Ndërkohë, mesfushori i Kombëtares shqiptare tregoi edhe dje se është rikthyer në formën më të mirën dhe se është padyshim lideri i ekipit të tij. Në fund të takimit, trajneri i skuadrës së Kotbusit, Bojan Prsanikar, pranoi supermacinë e skuadrës vendëse, por nuk harroi t’i thurte elozhe shqiptarit. “Bajerni padyshim që është skuadra më e fortë e Bundesligës dhe këtë e tregoi edhe sot. Megjithatë, ne mund të kishim bërë diçka më shumë se sa kaq. Nuk është e lehtë të kalosh në avantazh ndaj Bajernit, por nëse do të kishim qenë më të kujdesshëm pas golit të Skelës, mund të kishim marrë pikë në këtë takim”, ka thënë tekniku i Kotbusit. Tani që skuadra renditet në vendin e fundit në tabelë me 9 pikë të grumbulluara, Prasnikar rrezikon vërtet postin e trajnerit te Kotbusi.
Fanellat
Në fund të pjesës së parë Ervin Skela ka shkëmbyer fanellën me mesfushorin e Bajernit të Mynihut, Frenk Riberi. Në sfidën e djeshme të dy ishin protagonistë, pasi arritën të shënonin në portat kundërshtare falë ekzekutimit të shkëlqyer të goditjeve të dënimit. Në fund të takimit 32-vjeçari i përfaqësueses shqiptare shkëmbeu fanellën edhe me sulmuesin italian të Bajernit, Luka Tonin. Duket se Skela ka vendosur të bëjë koleksion fanellash me yjet e Bundesligës.