E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Keqardhje për leximin e gabuar të Kodit Zgjedhor

 

Kreu socialist nga podiumi i Asamblesë Kombëtare, duke folur për suksesin e socialistëve në hartimin e Kodi të ri Zgjedhor, iu adresua edhe qëndrimeve të partive të majta ndaj këtij kodi. “Sigurisht, që në këtë proces ne hasëm në një sërë vështirësish. Unë dua të shpreh këtu keqardhjen për një pjesë të këtyre vështirësive të krijuara sipas meje nga një lexim i gabuar. E madje në disa raste nga mosleximi i Kodit të ri Zgjedhor, duke bërë që shumë paragjykime apo gjykime qëllimisht të deformuara të krijojnë një paqartësi apo edhe pakënaqësi në një segment të shoqërisë, të cilit unë i adresoj sot shprehjen e vullnetit të plotë të PS-së, të atyre që kanë marrë pjesë në hartimin e kodit e pa asnjë dyshim të së gjithë deputetëve që e votuan këtë kod, për të mos lejuar cenimin e asnjë vote në çfarëdo drejtimi që ajo votë të shkojë dhe të asnjë subjekti politik në Shqipëri, cilitdo krah që ky subjekt politik sado i vogël i përket”, tha Rama. Sipas tij, vullneti i socialistëve ka qenë ruajtja e votës së shqiptarëve nga deformimet e mëparshme. “Është shumë e nevojshme që të nënvizohet me zë të lartë, që në këtë proces ne jemi udhëhequr nga interesat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve. Ne jemi udhëhequr nga nevoja jetike, që më në fund ky vend të ketë zgjedhje ku vullneti i popullit nuk deformohet nga domosdoshmëria që ne jo vetëm ta realizojmë ashtu si kundër është kërkuar prej vitesh nga shqiptaret e shqiptarët, por edhe nga partnerët ndërkombëtarë”, tha Rama. Kreu socialist është shprehur për mungesë etike nga ana e partive të tjera në adresë të PS-së. “Dua të shpreh keqardhjen për mungesën e etikës dhe tolerancës në raport me ne, në raport me pikëpamjet dhe rolin tonë. Dua të nënvizoj, se pavarësisht nga kjo dhe paçka se jemi bërë padrejtësisht objektiv i një dyndjeje tërësisht jo etike, tërësisht jo tolerante me burim një mllef primitiv, ne do të vazhdojmë në rrugën tonë të vetëdijshëm se ky është roli ynë. Njëkohësisht, nuk do të pushoj së përsërituri, se kjo është koha për të dhënë kontribut patriotik në përmirësimin e procesit politik, në përmirësimin e nivelit të komunikimit politik, në cilësinë e produktit politik”, tha Rama. Kreu socialist u shpreh se nga ana e PS nuk i është përgjigjur dhe asnjëherë nuk do t’i përgjigjemi me të njëjtën frymë dhe me të njëjtën gjuhë këtyre sulmeve. “Mllefi nuk është filozofi! Mllefi nuk është alternativë! Mllefi nuk është program politik!”, tha Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›