E Shtunë, 31 Tetor 2026

Cana, zyrtarisht në Lazio

Nga Express më 17 korrik 2011 në ora 12:37

Pritej vetëm zyrtarizimi dhe ai arriti të shtunën. Lorik Cana është komplet lojtar i Lazios. Futbollisti kosovar, i cili luan në pozitën e mesfushorit defanziv dhe të qendërmbrojtësit, do të jetë në dispozicion të trajnerit Edy Reja, që nga sezoni i ardhshëm.

Lajmin e ka konfirmuar klubi italian përmes ueb faqes së vet zyrtare. “S.S Lazio njofton se Lorik Cana është lojtar i ri Biancocelesti. Mesfushori shqiptar e ka lënë Galatasarayn për t’iu bashkuar Lazios”, shkruan në komunikatën e lëshuar nga klubi i kryeqytetit italian.

Sipas mediave italiane, Cana, i lindur në Gjakovë më 27 korrik 1983, ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Lazion deri në fund të qershorit të vitit 2016. Ai shënoi një gol dhe pati 24 paraqitje me Galatasarayn sezonin që shkoi.

Më parë, mesfushori luftarak luante në Paris Saint Germain, Olympique Marseille dhe Sunderland. Cana menjëherë ka hyrë në zemrat e tifozëve lazialë. Ndërkohë, përfaqësuesi shqiptar nuk ka stërvitur të shtunën për shkak të gripit. Ai do t’u bashkohet shumë shpejt shokëve në përgatitjet para-sezonale.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›