Baselit i shtohen shqiptarët

Kampioni i Zvicrës, Basel, ka filluar të bëhet çerdhe e futbollistëve shqiptarë. Pas Xherdan Shaqirit, Arlind Ajetit, vëllezërve Granit e Taulant Xhaka, pjesë e kësaj skuadre është bërë edhe një tjetër futbollist shqiptar.
Bëhet fjalë për talentin e lindur në Tetovë, Valmir Nafiu. Sulmuesi 17 vjeçar sezonin e fundit ka luajtur me kampionin e Maqedonisë –Shkëndija, derisa tash ka arritur marrëveshje paraprake me Baselin.
Por, anëtari i përfaqësueses U19 të Maqedonisë nuk do të ketë të drejtë të luajë dhe të nënshkruajë kontratë me kampionin zviceran, pasi ende nuk i ka mbushur 18 vjet.
“Unë kam arritur marrëveshje paraprake me Baselin. Por, deri në janar të vitit të ardhshëm nuk do të mund të luaj me klubin e ri shkaku i transferimit tim, pasi ende nuk i kam 18 vjet”, ka thënë Nafiu për Express të dielën.
Nafiu tregton se derisa do ta merr dritën e gjelbër për të luajtur, pritet të aktivizohet me ekipin e të rinjve të Baselit.
Sulmuesi tetovar gjatë fazës përgatitore ka zhvilluar disa ndeshje me ekipin zviceran, derisa ka lënë përshtypje të mira te trajneri i kësaj skuadre, Thorsten Fink.
“Kam zhvilluar disa ndeshje miqësore dhe më kanë shkuar shumë mirë. Menaxheri im ka biseduar me trajnerin, i cili është ndarë shumë i kënaqur me mua”, theksoi 17 vjeçari.
Ai është optimist se në të ardhmen nuk do ta ketë problem të zë vend në ekipin e parë të skuadrës nga stadiumi St. Jakob-Park.
“Shpresoj që ndeshjet miqësore që i kam zhvilluar me Baselin t’i vazhdoj edhe në të ardhmen dhe kështu të shkoj drejt sukseseve më të mëdha”, u shpreh Nafiu.
Nafiu te Baseli do të ketë si në ‘shtëpi’, pasi aty ka edhe katër futbollistë tjerë me prejardhje shqiptare, si: Xherdan Shaqirin, vëllezërit Granit e Taulant Xhaka dhe Arlind Ajetin.
“Prania e tyre në skuadrën e Baselit është shumë e mirë për mua. Unë nuk e di gjuhën dhe për çdo gjë e kamë ndihmën e tyre”, përfundoi Nafiu i cili më herët ishte provuar te gjiganti spanjoll Barcelona dhe te ai holandez Ajax.