Eliminohet Argjentina
Aventura e Argjentinës në Copa America ishte më e shkurtër se që pritej. Lionel Messi me shokë janë eliminuar të shtunën mbrëma në çerekfinale të këtij kompeticioni nga Uruguai, i cili u kualifikua në gjysmëfinale vetëm falë fatit më të madh në ekzekutimin e penalltive.
Carlos Tevez ka dështuar nga pika e bardhë, ndërsa uruguaianët ishin të qindpërqindtë nga 11 metërshi, për të ecur përpara. Loja e rregullt, por edhe ajo shtesë, kanë përfunduar baras, 1:1. Perez i ka kaluar uruguaianët në avantazh qysh në minutën e pestë, ndërsa Higuain i barazoi shifrat 12 minuta më vonë, pasi mori një top të shkëlqyer nga ylli i Barcelonës, Messi.
Shënuesi i golit, Perez, është ndëshkuar me karton të kuq në minutën e 39-të, pas dy të verdhëve, duke e lënë ekipin e tij me një lojtar më pak në pjesën më të madhe të ndeshjes. Por, këtë epërsi numerike në fushë nuk ditën ta shfrytëzonin argjentinasit.
Madje, edhe ata mbetën të mangët, kur Mascherano u skuq, tre minuta pa përfunduar takimi. Në lojën shtesë, ekipet tentuan me disa raste, por nuk arritën të fitonin, kështu që fituesin do ta përcaktonin penalltitë. Dhe, portieri në super formë në këtë ndeshje, Muslera, e priti goditjen e Carlos Tevezit, për ta quar Uruguain në gjysmëfinale.
“Është një moment i jashtëzakonshëm. E merituam fitoren. Mund të themi se në fund drejtësia fitoi. E dinim se luanim kundër ‘të zotëve të shtëpisë’ dhe se do të ishte e vështirë sepse e kishim tërë stadiumin kundër. Por, i falënderoj tifozët tanë, që na përcollën dhe na mbështetën. 16 korriku, për ne dhe për ata është një datë historike”, theksoi sulmuesi i rrezikshëm, Luis Suarez.
Përkundër eliminimit, selektori i Argjentinës, Sergio Batista, nuk e ka ndërmend të largohet nga posti aktual. “Nuk është një falimentim, nuk e kam ndërmend të largohem. Duhet të vazhdojmë të punojmë. Kam kontratë me Federatën e Argjentinës dhe nga ana tjetër kam një projekt të punës me Kombëtaren, kështu që do të shikoj përpara. Gjëja më e rëndësishme për ne është Botërori i ardhshëm, në vitin 2014 në Brazil”, tha Batista.
Rrugën e Uruguait e ndoqi edhe Peru, i cili e mposhti Kolumbinë vetëm pas lojës shtesë. Falcao e ka humbur penalltinë dhe rastin më të mirë të kolumbianëve në minutën e 66-të. Ndërsa, golat e peruanëve kanë arritur në minutën e 102, me realizator Lobanot dhe në atë të 112-të, kur shënonte Vargas.
Copa America
Çerekfinalja
Rezultatet
Kolumbia – Peru0:2
Argjentina – Uruguai1:1 (4-5 penallti)