E Shtunë, 31 Tetor 2026

Canaj : “Kujdes me Flamurtarin, sfidë delikate”

Sokol Paja
"Flamurtari" tremb ekipin kryeqytetas, "Dinamo", me formën e mirë që paraqet. Trajneri i "Dinamos", Agim Canaj, në lidhje me ndeshjen e sotme me ekipin e "Flamurtarit", është shprehur se ekipi tij do të mobilizohet për të arritur fitoren që e mban "Dinamon" ende në krye të klasifikimit, por e ka quajtur "sfidë shumë delikate", për vetë pozitat e ekipit vlonjat që këtë javë do të kërkojë kthesën. Në këtë takim dinamovitët do të kenë një mungesë të rëndësishme që do t'i hapë jo pak telashe timonierit të bluve. Kuli do të mungojë për arsye kartonësh, por, sipas trajnerit, ka edhe lojtarë të tjerë që i përshtaten lojës së tij. Në lidhje me pretendimet e skuadrës, Canaj është shprehur shumë diplomat teksa ka thënë se është vetëm fillimi dhe është herët për të dhënë parashikime. Por një gjë dihet se "Dinamo" është një ekip pretendent, krahas "Tiranës" e "Partizanit". Ekipi është shumë i përgatitur, sipas Canajt, dhe fitorja do të jetë objektivi i vetëm i këtij takimi edhe pse përballë ka një ekipi mjaft të vështirë. "Dinamo" deri tani në këto katër javët e para ka shënuar plot 10 gola dhe nuk ka pësuar asnjë, duke udhëhequr me meritë kampionatin, cka i jep akoma më shumë shtysë ekipit që të fitojë ndeshjen e neserme përballë "Flamurtarit" të Vlorës. Si e parashikoni ndeshjen e sotme me "Flamurtarin"? Të gjitha ndeshjet janë shumë të vështira, ashtu si kjo e sotmja që do të luajmë me "Flamurtarin". Ekipi i Vlorës, në dy javët e para, ka marrë rezultate shumë të mira dhe do të jetë një përballje shumë e fortë për ekipin tonë, pasi gjithmonë "Flamurtari" ka zhvilluar lojë shumë të mirë në kryeqytet. Ekipin e "Flamurtarit" e njoh shumë mirë, ka mjaft kualitete dhe një grup shumë të mirë të rinjsh dhe ka rezultuar një kundërshtar shumë i fortë, sic ndodhi në rastin e "Tiranës". Unë e njoh mirë dhe ia di vlerën. Ne duhet të tregohemi të kujdesshëm dhe ta kalojmë me sukses edhe këtë sfidë, pasi kemi shumë rrugë për të bërë dhe realisht, "Flamurtari" është një kundërshtar që duhet respektuar dhe vlerësuar, por fitoren do ta kërkojmë me patjetër. Ne i kemi marrë masat tona që t'ia dalim me sukses. "Flamurtari" është ekip me traditë në futboll dhe nuk mund të parashikohet. Ekipi im është stërvitur mjaft mirë dhe besoj se sot do të shfaqim vlerat tona më të mira si ekip. Keni mungesa në këtë ndeshje? Në ndeshjen e sotme ndaj "Flamurtarit", kemi një mungesë shumë të madhe që është ajo e Kulit, për arsye kartonësh. Ne si ekip, duke parë edhe kontigjentin që kemi, do të bëjmë zgjedhjen më të mirë për të zëvendësuar këtë lojtar dhe besoj se do t'ia arrijmë. Luajmë në fushën tonë, një faktor plus që na shtyn edhe më shumë për të fituar. Ekipi ka shumë futbollistë që e bëjnë rolin e Kulit dhe kam përshtypjen se nuk do të ndihet edhe aq shumë mungesa e tij, por gjithsesi, është një mungesë shumë e rëndësishme për ekipin tim. Cilin ekip parashikoni si rivalin tuaj kryesor? Është shumë herët për të parashikuar se cili ekip është më i mirë apo më i fortë, sepse është vetëm fillimi dhe kanë kaluar shumë pak kohë për të dhënë një parashikim të saktë. Mua më intereson ekipi që unë stërvis, që të jemi sa më në formë dhe të arrijmë ato objektiva që ia kemi vënë skuadrës. Deri tani, duke iu referuar këtyre katër javëve, shoh si ekipin më të vështirë, krahas ekipit tim, ekipin e "Partizanit", që është forcuar shumë sivjet, por duke mos harruar edhe ekipet e tjera të traditës që deri tani nuk po japin më të mirën në këtë fillim kampionati. Kampionati është shumë i gjatë dhe është shumë herët të jap një mendim përfundimtar, por, gjithsesi, skuadrat që kanë rivalizuar gjithmonë, do të rivalizojnë edhe sivjet. Ekipet më të mira që kanë treguar rritje dhe stabilitet dhe që janë më përpara të tjerëve, mendoj se janë "Dinamo" e "Partizani", skuadra të cilat i shoh edhe si pretendentet kryesore.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›