E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nexhipi, në kombëtaren “kuqezi” pas një viti ?

Nga Reshat Ibrahimi
Sipas rregullores së FIFA-s, një futbollist nëse ka luajtur për kombëtaren e një shteti, atëherë ai duhet të pushojë dy vjet dhe të marrë pëlqimin e FIFA-s për të luajtur në shtetin i cili e kërkon atë në kombëtare Shkup - Dëshira dhe vullneti për të luajtur me fanellën e kombëtares "kuqezi" patjetër duhet të kalojë nën rregullat dhe procedurat e UEFA-së dhe FIFA-së. Pikërisht për këtë dilemë Igor Klemperski, përgjegjës në Federatën e Futbollit të Maqedonisë (FFM) për marrëdhënie ndërkombëtare ka sqaruar për Albania-Sport rrugën nëpërmjet të cilës një futbollist mundë të luajë për një kombëtare. "Nëse një futbollist ka luajtur një ndeshje zyrtare për një shtet qoftë U-21 ose ‘A' reprezentacioni, atëherë ai mundë të luajë për një shtet tjetër, vetëm nëse një mundësi të tillë e miraton FIFA. Megjithatë, për ta realizuar FIFA një kërkesë të tillë, atëherë ai futbollist nuk duhet të ketë luajtur së paku dy vjet me kombëtaren e shtetit, ku ka luajtur më parë, si dhe të pajiset me nënshtetësi nga shteti i cili e kërkon ta angazhojë në kombëtaren e vet", tha Klemperski. Sipas tij, procedura është më e thjeshtë, nëse për një futbollist interesohet një shtet i huaj, dhe ai lojtar nuk ka luajtur asnjë ndeshje me kombëtaren e shtetit të cilit i takon. "Në rast se një shtet e kërkon një futbollist nga një shtet tjetër, dhe ai futbollist nuk ka luajtur asnjë ndeshje zyrtare, atëherë ai lojtarë mund të angazhohet pa probleme për shtetin i cili e kërkon", sqaroi Klemperski. Si pasojë e kësaj rregulloreje, mesfushori më i mirë dhe kapiteni i Rabotnicki K., Nderim Nexhipi nuk mund të luajë për ndonjë shtet tjetër edhe për një vit. Ai ndeshjen e fundit me fanellën e U-21 të Maqedonisë e ka luajtur kundër Danimarkës në Shkup me 2 shtator 2006, në kuadër të kualifikimeve për KE 2007. Nëse kombëtarja e Shqipërisë me në krye seleksionuesin Otto Baric angazhohet seriozisht për ta marrë këtë futbollist në radhët e veta, atëherë ata duhet ta pajisin me shtetësi shqiptare dhe të presin edhe më së paku një vit, kurse Nexhipi mos të luajë asnjë takim me kombëtaren e Maqedonisë. Ndryshe, nga rasti "Nexhipi" qëndron puna me Ertan Demirin, i cili nuk ka luajtur asnjë ndeshje me fanellën e Maqedonisë, qoftë ajo U-21 apo ekipi i parë. Demiri nëse pëlqehet nga Baric, atëherë Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) vetëm duke i dhënën nënshtetësinë e Shqipërisë mund ta bëjë të vetin. Pas ardhjes së Baricit në Shkup dhe zgjedhjen e futbollistëve shqiptarë të Maqedonisë, FSHF me pak vështirësi mundë të marrë lojtarët e rinj shqiptarë që tani aktivizohen në U-17 dhe U-19 të Maqedonisë. Kërkesa e teknikut kroat të vizitojë Shkupin ka ardhur pas informacioneve që ai ka grumbulluar për cilësinë e futbollistëve shqiptarë që luajnë në kampionatin e Maqedonisë.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›