“Fjalori” i ri i futbollit shqiptar

Nëse lexon "thjesht" vendimin e djeshëm të Komisionit të Disiplinës, vëren përdorimin në masë të madhe të fjalëve me karakter të "dhunshëm": fyerje ndaj arbitrit, shkelma ndaj kundërshtarit, gjeste provokuese, goditje me grusht. Duke iu referuar edhe vendimeve të mëparshme (me të njëjtën ngjyrë fjalësh) duket se dhuna nuk është më një dukuri që shfaqet rastësisht në katërkëndëshin e "gjelbër". Ajo që shqetëson dyfish drejtuesit e futbollit është fakti se ky lloj "arti luftimi" nuk është vetëm pronë e profesionistëve dhe as e vetëm futbollistëve amatorë të kategorive inferiore, por ajo po shfaqet dukshëm edhe te kategoria e 16-vjecarëve, aq sa me të drejtë të krijohet përshtypja se futbolli në Shqipëri nuk luhet me top dhe për golin, por është shndërruar në një arenë dylyftimesh. Nëse i rikthehesh ngjarjeve të së shtunës së kaluar në stadiumin "Skënderbeu", do të shohësh se "gafat" e gjyqtarit, të përcaktuara si njerëzore, provokuan një stadium të tërë dhe i revoltuari i parë, apo hedhësi i stolit plastik të shkulur mbi gjyqtarin Lapi mund të ishte dikush që e ka ndjekur mbi 1000 herë në stadiumin e tij skuadrën e zemrës dhe ka duartrokitur kundërshtarin për lojën e bukur në vend që të hedhë gurë e shishe mbi gjyqtarin. Në jo pak raste, vendimet e dyshimta të gjyqtarëve kanë provokuar tifozeritë pasionante të futbollit të varfër shqiptar. Shprehja e dufit përmes gurëve të hedhur është kthyer në një traditë në stadiumet shqiptare, ku sezonin e kaluar spikatën fushat e Peqinit, Vlorës, Gjirokastrës. Faji, edhe pse mbetet te tifozi i thjeshtë, qoftë ky edhe një ultras, shkaku prej të cilit revoltohet dashamirësi i futbollit, lind më parë se të fillojë zyrtarisht takimi te "kuintat" që projektojnë diku larg fushës së gjelbër ecurinë e ndeshjes. Dhe në këtë rast, është e kotë që sportdashësi të "nxihet", pa ndëshkuar moralisht "xhaketën e zezë"...