Canaj: “Do të luajmë ne bllok”. Reja: “Respekt për Vllazninë:

Vetëm pak orë e ndajnë Vllazninë nga ndeshja kundër Napolit (sot 20:30), një prej ndeshjeve më të rëndësishme të saj, të paktën përsa i imazhit të krejt futbollit shqiptar të klubeve. Në Shkodër janë të bindur për rezultat pozitiv, këtë e tregon jo vetëm entuziazmi i lojtarëve, shitja e të gjitha biletave, por edhe një koncert i madh festiv. Strategët e skuadrave, pra trajnerët flasin jashtë fushe.
TRAJNERI CANAJ – "E rëndësishme është që cdo lojtar të japë maksimumin e tij. Duhet të luajmë në bllok për të shpresuar te ndonjë rezultat pozitiv", - pohoi trajneri i Vllaznisë, Agim Canaj, pak orë përpara fillimit të sfidës. "Ne e njohim forcën e kundërshtarit dhe loja në bllok mund të jetë mënyra më e mirë për ta befasuar".
TRAJNERI REJA - "Jam i sigurt se Vllaznia është një skuadër e mirë, me disa elementë të mirë në përbërje të saj. Nuk parashikoj rezultate pa nisur ndeshja". Kështu është shprehur trajneri i Napolit, Edi Reja. "Napoli do të kthehet në Itali me një rezultat të rëndësishëm në favor të tij", - është shprehur ish-trajneri i Napolit, Xhampiero Ventura.
VLLAZNIA– Ende nuk është përcaktuar asgjë zyrtare, pasi balatozhi fillon që nga porta, ku në duel janë veterani me përvojë ndërkombëtar Armir Grima dhe i riu i talentuar Olti Bishani. Mbrojtja pritet te këtë Beqirin, Telin, Bashicin e Belishën. Mesfusha përbëhet nga Osja, Nallbani, Lika e ganezi Bouda. Në sulm priten të rreshtohen Kaci e Sukaj. Sinani do të jetë në stol dhe mund të ketë disa minuta në pjesën e dytë. Te Vllaznia është federuar edhe një ganez tjetër, Mohamed Adoma.
NAPOLI – Skuadra italiane ka mbërritur në Shkodër me shtatë mungesa, por gjithsesi Reja ka në dispozicion një formacion agresiv: në portë Ieco, në mbrojtje Kanavaro, Rinaudo, Kontini, në mesfushë Maxhio, Vitale, Blazi, Pacienca, Hamshik e në sulm Pia e Denis.
SHPËRBLIMI - Presidenti i Vllaznisë, Valter Fushaj, për takimin kundër Napolit ka premtuar një premio 50 për qind më të lartë se ajo që dha për kualifikimin kundër sllovenëve të Koperit në turin e parë eliminator të Kupës UEFA. Shumë e hamendësuar mund të vërtitet rreth 75 mijë euro.
TRIBUNA VIP - E tejmbushur. Duke filluar nga drejtuesit më të lartë FSHF-së, deputetë të ndryshëm e pushtetarë vendorë, por ed dhe presidentë të klubeve kryesore të Superligës. Në "Loro Borici" do të jenë edhe dy presidentë të dy klubeve turke Genncerbirligi dhe Haxhetepe.