E Diel, 1 Nëntor 2026

Kërcënon Romela: “Më ktheni kusurin, se ika”

Duket se kërcënimet e sportistëve elitarë janë kthyer në modë. Romela Begaj, peshëngritësja shqiptare, e cila ka arritur edhe suksesin më të madh të vendit tonë në Lojërat e Pekinit, vendi i gjashtë në peshën 58 kg, kërcënoi me largimin e saj nga Shqipëria, për të garuar në të ardhmen për flamurin e një shteti tjetër.
21-vjecarja e stërvitur nga trajneri pasionat Hektor Shaqiri, falënderoi mjekun fizioterapist Merepeza, për ndihmën e këtij të fundit ndaj Begajt, e cila pa pasur disa probleme. "Nuk ishte maksimumi im, por në nivel olimpiade isha shumë mirë", - është shprehur kampionia e Europës në stilin e shkëputjes për "Top-Neës". Begaj, e cila konsiderohet si ikona e re e shtangës shqiptare, pas imazhit të prishur të Fetije Kasajt për shkak të përdorimit të substancave të ndaluara, theksoi se më parë ka pasur probleme me shpërblimet që jep qeveria për rezultatet pozitive, por se tani gjërat kanë gjasa të rregullohen.
"Ministri i Sporteve na tha që shpërblimet janë gati, por unë nuk e di sepse shpërblimet e prapambetura nuk i kemi marrë ende", - tha medalistja e argjendtë në dygarëshin e Kampionatit Europian të zhvilluar në Linjanjo të Italisë vetëm pak muaj më parë.
Romela me rezultatin e saj të jashtëzakonshëm në Kinë, vendi i gjashtë, teksa tetë vendet e para të renditjes konsiderohen sukses i madh, është në fokusin e vendeve më të pasura se Shqiëpria dhe që dëshirojnë të investojnë te sportistet që në të ardhmen mund t'u sigurojnë medalje, ashtu sic ka bërë më parë Greqia me Piro Dhimën, Luan Shabanin, Viktor Mitren apo Xhelilin.
Gjithsesi sirenave të vendeve të tjera, Begaj u është përgjigjur. "Nuk e di, kjo është një dilemë e madhe për mua. Shpresoj të më respektojnë për rezultatet dhe shpresoj të më japin dicka të mirë që unë të kem një shtysë për të qëndruar këtu (në Shqipëri), pohoi Begaj, peshëngritësja e parë shqiptare që mërr pjesë në një Olimpiadë.
Begaj, nuk e përjashtoi mundësinë e largimit dhe konkurrimit për ndonjë flamur të huaj, ku si gjithmonë vendi i parë që shfaqet si alternativë është Greqia.
Romela, një nga peshëngritëset më të talentuara dhe e para femër e kualifikuar direkt në "Pekin 2008" ngriti në total 216 kg: 98 kg në shkëputje dhe 118 në shtytje, duke zënë vendin e gjashtë e duke lenë pas peshëngritëse polake, rumune e ekuadoriane.
Në stilin e shkëputjes, Begaj arriti të njëjtin rezultat sa dhe vendi i dytë e i tretë, por pesha më e madhe trupore (57.56 kg), e ka renditur në vendin e katërt pas koreanoveriores O Jong, (57.15) dhe tajlandezes Uande Kameiam (57.25). Në stilin e shtytjes, Begaj ngriti 118 kg.
Pak kohë më parë edhe atletja Klodiana Shala, rekordmene në disa disiplina në garat e shpejtësisë, kërcënoi me largim, duke lënë të nënkuptohej se flamuri i saj i ardhshëm do të ishte Greqia, vend ku edhe rekordmenia shqiptare me 3 pjesëmarrje në Lojërat Olimpike stërvitet herë pas herë. Klodiana Shala do të garojë, më 16 gusht në 400 metra dhe prej saj pritet të përmirësojë rekordin kombëtar shqiptar.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›